Maqedoni: Pesë milion euro gjoba për shkelje të orës policore

Maqedonia

Maqedoni: Pesë milion euro gjoba për shkelje të orës policore

Më: 29 maj 2020 Në ora: 12:09
Foto Ilustrim

Prokuroritë themelore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përgjatë 67 ditëve të kaluara (duke mos llogaritur 26 majin), aq sa zgjati ora policore në vend, kanë dorëzuar 2464 urdhra penal për mos respektimin e orës policore. Një e treta e këtyre gjobave, apo ndryshe thënë 737 urdhra penal janë propozuar nga Prokuroria Themelore e Shkupit. Në kuadër të këtyre gjobave të shqiptuara nga Prokuroritë themelore, përfshihen edhe personat të cilat nuk e kanë respektuara karantinën shtetërore, masën për vetizolim dhe lokalet të cilët kanë punuar në mënyrë ilegale.

Megjithatë nga Prokuroria Publike njoftojnë se kjo përqindje e gjobave është e vogël dhe se pjesa dërmuese e urdhrave ndëshkuese kanë të bëjnë me mos respektimin e orës policore në kohë të pandemisë me KOVID-19. Lartësia e gjobave, të cilat janë shqiptuar nga prokuroritë përkatëse, fillon nga 800 euro e përpjetë. Mirëpo, nga Prokuroria Publike potencojnë se mesatarja e urdhrave penale të shqiptuar është 2000 euro. Kësisoj, nëse përllogariten të gjitha gjobat e prokurorive të parashtruara në gjykatat e ndryshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i bie se mos respektimi i orës policore qytetarëve ju ka kushtuar gati 5 milionë euro.

Paralelisht me propozimet e prokurorive kanë vepruar edhe gjykatat, të cilët kanë shqiptuar vendime për shkeljen e orës policore. Kështu ka vepruar edhe Gjykata Penale e Shkupit, e cila i ka proceduar numrin më të madh të propozimeve për mos respektim të orës policore. Siç mëson KOHA, ndaj këtyre gjykimeve – qytetarët të cilat nuk janë pajtuar më propozimin e prokurorisë dhe lartësinë e gjobës, kanë parashtruar kundërshtime dhe për ankesat e njëjta, në GJPSH janë caktuar seanca gjyqësore ku pritet të parashtrohet argumentet “për” dhe “kundër” shkeljeve të orës policore.

Pas kryeqytetit i cili llogaritet si vend i parë ku nuk është respektuar ora policore, renditet rajoni i Prilepit, ai i Strumicës dhe Tetovës si qytete ku më tepër nuk është respektuar ora policore. Ndryshe, në bazë të Kodit Penal, masa propozim-urdhër penal shqiptohet nga prokurori përkatës kur bëhet fjalë për vepër penale për të cilën është paraparë gjobë në të holla apo dënim më i butë me burg, i cili mund të zëvendësohet me dënim me kusht.

Gjatë miratimit të këtij propozimi, gjykata sipas organizat2ës “Koalicioni për gjykim të drejtë”, nuk cakton seancë kryesore në të cilën prokurori dhe i akuzuari do të parashtrojnë dëshmi në favor të tyre. Gjykata në këto raste shqyrton nëse bëhet fjalë për vepër penale për të cilën mund të shqiptohet urdhër-penal dhe vallë ekzistojnë prova të mjaftueshme që tregojnë se personi në fjalë e ka kryer veprën penale.

Në rast se gjykatësi vlerëson se ky propozim nuk është i bazuar, të njëjtin e refuzon dhe cakton seancë kryesore (gjykim) ku ftohen të dyja palët për të prezantuar dëshmi. Ndërkohë, nëse vlerëson se propozimi ka bazë, atëherë do të miratojë aktgjykimin për shqiptimin e urdhrit penal në të cilën mund të shqiptohet gjobë në të holla, dënim me kusht, ndalesë për drejtim e automjetit, si dhe konfiskim të pronës dhe marrjen e mjeteve. Pas marrjes së aktgjykimit për urdhër penal, i akuzuari ka të drejtë të ankesës në afat prej 8 ditëve. Kjo ankesë nuk duhet të arsyetohet, as të argumentohet me dëshmi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat