Komuna e Likovës vatër e koronavirusit, gjendje e vështirë në Sllupçan dhe Mateç

Maqedonia

Komuna e Likovës vatër e koronavirusit, gjendje e vështirë në Sllupçan dhe Mateç

Më: 2 qershor 2020 Në ora: 15:38
Likova

Komuna e Likovës tashmë disa ditë është vatër e virusit korona. Të dhënat tregojnë se janë të paktën 40 raste aktive. Qendra e Shëndetit Publik do të bëj nga 100 teste në ditë.

Prej sot kemi filluar testimin masiv në Likovë. Ekipet tona kanë dalë në terren dhe besojmë se këtë situatë mund ta kalojmë në bashkëpunim –  tha Arif Latifi, Drejtor i Qendrës së Shëndetit Publik, Kumanovë.

Komuna në bashkëpunim me imamët kërkon ndalimin e ceremonive mortore dhe ahengjeve familjare.

Imamët kanë një rol kyç. Të gjithë faktorët duhet kyçur që të menaxhojmë këtë situatë kaq të rëndë në komunën tonë – u shpreh Erkan Arifi, Kryetar i Komunës së Likovës.

Fshati Sllupçan si më i prekuri nga virusi kishte pak lëvizje. Disa banorë respektonin masat.

“Dasma nuk ka. Në vdekje, pas koronës për ngushëllime. Tani jo. O shqiptar mblidheni mendjen”.

“Populli duhet pasur kujdes të veçantë dhe duhet ruajtur. Epidemitë e kanë vetëm këtë ilaç”.

“Maska dhe distancë duhet. Secili për vete. Virusi është aktiv”.

Por, kishte shumë prej tyre që besonin në teori konspirative.

“Pse nuk ke maskë? Nuk i besoj korona virusit”.

“Ti pse po shërben pa maskë?! Nuk ka virus. Gënjeshtër është kjo”.

“Nuk vendosi maskë. Pse të vendosi në fshat. Ja ku e kam shtëpinë”.

“Maskën e kam në veturë. Sapo e lash”.

Të prekur nga virusi korona janë edhe fshatrat Mateç, Hotël dhe Nikushtak. Ditë më parë Likova ka regjistruar 11 raste të reja dhe dy viktima. Në 24 orët e fundit gjatë kontrolleve të kryera, inspektorati ka mbyllur 8 lokale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat