Korniza negociese për Maqedoninë e Veriut, në fokus sundimi i ligjit dhe ekonomia - Bota Sot
Korniza negociese për Maqedoninë e Veriut, në fokus sundimi i ligjit dhe ekonomia

Maqedonia

Korniza negociese për Maqedoninë e Veriut, në fokus sundimi i ligjit dhe ekonomia

Më: 2 korrik 2020 Në ora: 15:48
BE-Maqedonia

Komisioni Evropian ua dorëzoi shteteve anëtare propozim-kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut. Por vetëm pasi shtetet anëtare ta harmonizojnë versionin përfundimtar të kornizës negociuese, do të mbahet konferenca e parë ndër-qeveritare, me çka negociatat për anëtarësim do të fillonin zyrtarisht, sqaroi ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.

 Propozimi i përgatitur nga Komisioni Evropian bazohet në kornizat paraprake negociuese, si ajo për Serbinë dhe Malin e Zi duke shtuar elementet e metodologjisë së re. Përfshin parimet, thelbin dhe procedurën negociuese. Tani i takon presidencës gjermane dhe shteteve anëtare ta diskutojnë dhe miratojnë. Sapo ta miratojnë do të hapim formalisht negociatat me vendin.”-tha Samuel Zhbogar, Ambasador i BE-së.

Ekspertët thonë se për fillimin e negociatave do të duhet të presim të paktën deri në fund të vitit.

Opsioni më optimist do të ishte që ajo të mbahej në fund të këtij viti, diku në dhjetor dhe deri atëherë të përfundojnë përgatitjet, përkatësisht të miratohet korniza negociuese.”-pohoi Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politikë Evropiane.

Përskaj këmbënguljes eventuale të Bullgarisë për të inkorporuar qëndrimet e saj rreth gjuhës maqedonase, ekspertët nuk presin ndryshime drastike në versionin përfundimtar të dokumentit në këtë drejtim. Propozimi i KE-së e përmend maqedonishten, në kontekst të nevojës për përkthim të ligjeve evropiane para anëtarësimit. Kjo si rezultat i Marrëveshjes me Greqinë, pasi që nga viti 2006 në dokumentet e BE-së gjuhës maqedonase i është referuar vetëm si “gjuhë shtetërore”.Propozim korniza thekson marrëveshjen me Greqinë dhe Bullgarinë, në kuadër të rëndësisë për marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore. Në fokus të saj janë: sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike dhe administratës publike si dhe ekonomia. Në përputhje me metodologjinë e re, pos organizimit të kushteve në kapituj, parashikohen parimet e pezullimit, disbalansit dhe reversibilitetit, që do të thotë se nëse vendi shënon regres do të kthehet në kapitujt e mbyllur ose do t’i zvogëlohen fondet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat