Dygjuhësia në fletëvotime, jo në të gjithë vendin, Derkoski: Kodi nuk është harmonizuar me ligjin e gjuhëve - Bota Sot
Dygjuhësia në fletëvotime, jo në të gjithë vendin, Derkoski: Kodi nuk është harmonizuar me ligjin e gjuhëve

Maqedonia

Dygjuhësia në fletëvotime, jo në të gjithë vendin, Derkoski: Kodi nuk është harmonizuar me ligjin e gjuhëve

Më: 2 korrik 2020 Në ora: 15:56
Foto Ilustrim

Neglizhenca e pushtetit dhe shumicës parlamentare la pa harmonizuar ligjin e gjuhëve me qindra ligje të tjera, përfshirë këtu edhe Kodin zgjedhor. Për pasojë, KSHZ-ja edhe këtë herë do të shtypë fletëvotime në dy gjuhë vetëm për komunat me mbi 20% shqiptarë dhe jo për të gjithë vendin. Propozimi i nënkryetares së KSHZ-së Ditmire Shehu dhe insistimi i anëtarit tjetër shqiptar Enver Salihi, që të gjitha fletëvotimet të jenë në shqip, nuk është pranuar nga anëtarët e tjerë të KSHZ-së. Kreu i këtij institucioni Oliver Derkoski thotë se vendimi i shumicës në KSHZ-së është bazuar në dispozitat e Kodit Zgjedhor.

Është e vërtetë, neni 93 i Kodit Zgjedhor nuk është harmonizuar me ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ky ishte interpretimi i kolegëve që krijuan shumicën. Bëhet fjalë për një lëshim të ligjvënësit i cili në të ardhmen duhet të korrigjohet  – tha Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së.

Salihi vlerëson se më këtë pamundësohet që një pjesë e qytetarëve shqiptarë, të kenë fletëvotim edhe në shqip.

Normalisht se mohohet sepse ligji i gjuhëve e parasheh gjuhën shqipe si të barabartë me gjuhën maqedonase por përbërja e ardhshme parlamentare duhet t’i dakordojë të gjitha ligjet në pajtim me ligjin për gjuhët sepse nëse ka mospërputhje, nuk jemi ne ata që duhet t’i ndryshojmë ligjet, por ne duhet t’i zbatojmë. Nuk mund të them se bëhet fjalë për qasje selektive ose jokorrekte nga kolegët -u shpreh Enver Salihi, anëtar i KSHZ-së.

Kodi zgjedhor parashikon shtypjen e fletëvotimit në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik. Për pjesëtarët e bashkësive të tjera, emri i subjektit politik dhe i bartësit të listës, përveç në maqedonisht, shkruhet edhe në gjuhën dhe në alfabetin e bashkësisë të cilës ai i takon. Në Komunat në të cilat të paktën 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, fletëvotimet shtypen edhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin të cilin e përdorin qytetarët e asaj komune.

Kodi zgjedhor, neni 93
– Fletëvotimi shtypet në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik.
– Për pjesëtarët e bashkësive, emri i dorëzuesit të listës dhe emri dhe mbiemri i kandidatit, gjegjësisht bartësit të listës shkruhen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën dhe në alfabetin e bashkësisë të cilës ai i takon.
– Në Komunat në të cilat të paktën 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, fletëvotimet për zgjedhjet, përveç në gjuhën maqedonase dhe në alfabetin e saj cirilik, shtypen edhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin që e përdorin qytetarët e asaj komune.

 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat