Komuna e Dibrës paralajmëron rritje të rasteve të reja me COVID-19

Maqedonia

Komuna e Dibrës paralajmëron rritje të rasteve të reja me COVID-19

Më: 3 korrik 2020 Në ora: 19:32
Ilustrim

Komuna e Dibrës përmes rrjeteve sociale thotë se çdo ditë në spitalin e përgjithshëm të qytetit paraqiten persona me shenja të dyshimta dhe me simptome të Covid-19, të cilët pas testimit konfirmohen se janë pozitivë. Nga komuna thonë se pasojat nga Covid-19 do të rriten me trend frikësues.

Ata theksojnë se e tërë kjo është pasojë e faktit të pamohueshëm se shumica e qytetarëve nuk janë të kujdesshëm dhe nuk u përmbahen masave mbrojtëse individuale (maska, distanca, dezinfektimi), posaçërisht në ambiente të mbyllura. Në të njejtën kohë nga komuna bëjnë thirrje masat dhe rekomandimet e kompetentëve të respektohen rreptësisht.

“Qytetarë të Komunës së Dibrës, kini kujdes për veten dhe familjet tuaja, virusi është i rrezikshëm, ai nuk është i kapshëm për syrin, por ndikon seriozisht në shëndetin tuaj. Mbrojtja nga Kovid-19 është në duart tona”, qëndron në thirrjen e Komunës së Dibrës.

Në Dibër, me rastin e sotëm të konfirmuar, numri i përgjithshëm u rrit në 103 persona. Betejën me armikun e rrezikshëm e fituan 48, e humbën katër persona, përderisa të sëmurë aktivë janë 51 persona, prej të cilëve shtatë janë të hospitalizuar në SPQ “8 Shtatori” në Shkup.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat