Ali Ahmeti sfidues: Është e drejtë legjitime, s’ka arsye që një shqiptar të mos jetë kryeministër i Maqedonisë së Veriut

Maqedonia

Ali Ahmeti sfidues: Është e drejtë legjitime, s’ka arsye që një shqiptar të mos jetë kryeministër i Maqedonisë së Veriut

Më: 4 korrik 2020 Në ora: 14:56
Ali Ahmeti

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, sfidoi ata që janë kundërshtarë të idesë dhe motos së tij në këto zgjedhje në Maqedoninë e Veriut, që një shqiptar t’i prij qeverisë së ardhshme.

Ai i pyetur në intervistën nga Radio e Evropa e Lirë se përse këmbëngul tani për këtë ide ai ishte i prerë duke u përgjigjur me pyetjen të veten, e duke kërkuar arsye se përse nuk duhet paraqitur një kërkesë të tillë.

“Pse mos insistojmë? Unë pres një përgjigje nga ata që thonë se pse ne si Bashkim Demokratik për Integrim kërkojmë kryeministër shqiptar dhe jam kureshtar të dëgjoj arsyet e të tjerëve të cilët kanë dalë kundër kësaj ideje. Dhe me kënaqësi dhe padurim i pres arsyet që mund t’i japin ata. E drejtë legjitime po, qytetar i këtij vendi po, të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shtetin integritetin e shtetit, sovranitetin e shtetit, të ardhmen e shtetit, të gjitha këto i ka (Naser Ziberi) si një kandidat për kryeministër shqiptar dhe ku është arsyeja, cila është pengesa që ky vend të mos drejtohet edhe nga një shqiptar.”

Kryetari i partisë BDI Ahmeti vazhdoi më tej duke renditur edhe sukseset e institucioneve të udhëhequra nga ministra e shqiptarë për të cilat vlerësoi se vetëm shtuan besimin e ndërsjellë mes komuniteteve maqedonase dhe shqiptare.

“Çka ndodhi me Maqedoninë që u drejtua Ministria e Mbrojtjes nga një shqiptar? Përkundrazi u rrit besimi edhe më shumë nga komuniteti maqedonas te komuniteti shqiptar. Çka ndodhi me Maqedoninë që u drejtua gati se një vit e gjysmë Ministria e Punëve të Brendshme nga një shqiptar në kohë kur u desh që të menaxhojë me situata shumë kritike në këtë vend, pa mbajtur anë, drejtoi një proces shumë delikat. Çka i ndodhi Maqedonisë me zgjedhjen e një shqiptari për kryetar të parlamentit? Ai ka drejtuar punët për mrekulli dhe kam dëgjuar vlerësime shumë të mëdha edhe nga pozita, por edhe nga opozita për punën që ka bërë kryetari i parlamentit. Përse tani të mos jetë një kryeministër shqiptar? Që ai si kryeministër të marrë përgjegjësi. Edhe ne jemi ata që i dalim zot këtij shteti edhe ne jemi shtetas të këtij shteti, ky është shteti ynë ky është atdheu ynë dhe duam që të demonstrojmë aftësitë tona për drejtimin e këtij shteti.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat