Në Maqedoni të Veriut situata me COVID-19 po përmirësohet

Maqedonia

Në Maqedoni të Veriut situata me COVID-19 po përmirësohet

Më: 6 korrik 2020 Në ora: 17:23
Pamje nga vendi i ngjarjes

Maqedonia e Veriut është prej vendeve më të goditura nga COVID-19 në rajon. Por të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë së këtij vendi megjithatë dëshmojnë se situata po shkon duke u përmirësuar.

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut të hënën ka njoftuar se prej 20 deri më 28 qershor ka pasur 303 raste më pak me COVID-19, në krahasim me një javë më parë. Po ashtu është njoftuar për tetë më pak të vdekur gjatë asaj periudhe. Numri i pacientëve të shëruar, sipas njoftimit, ishte për 216 më i madh.

Në javën e fundit janë konfirmuar 860 raste të reja, ndërkohë që mesatarja e tri javëve paraprake ishte rreth 1000.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së këtij vendi, një valë e dytë është shfaqur në gjithë botën dhe se në Maqedoni të Veriut ka arritur pak më herët. Por autoritetet shëndetësore të Maqedonisë së Veriut vlerësojnë se janë përballur si duhet me COVID-19.

Shkupi e Tetova mbesin qytetet më të goditura nga koronavirusi. Në Shkup janë regjistruar 46 për qind të rasteve, kurse në Tetovë 13 për qind të rasteve.

Të hënën, pas një kohe të gjatë, numri i të infektuarve në Maqedoni të Veriut ishte më i vogël se 100. Janë konfirmuar 78 raste të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat