Furgoni që barte emigrantët përplaset në pikën pagesore Milladinovc

Maqedonia

Furgoni që barte emigrantët përplaset në pikën pagesore Milladinovc

Më: 17 korrik 2020 Në ora: 18:39
Furgoni i perplasur

Rreth 40 emigrantë ilegalë u gjetën në furgonin që mëngjesin e sotëm u përplas në pikën-pagesore në Milladinovc, në afërsi të Shkupit. Pasi goditi traun e më pas edhe barrikadën prej betoni, shoferi i furgonit Iveco me targa të Shkupit ka ikur nga vendi i ngjarjes. MPB-ja është në kërkim të shoferit, ndërkohë që po i verifikon emigrantët.

Në automjet janë gjetur 40 emigrantë, për të cilët tani po verifikohet se nga cili vend janë dhe si kanë ardhur këtu. Disa janë nga Turqia, por për të tjerët po verifikohet. Tani për tani, vetëm 1 person është ankuar për lëndime. Flas me rezervë sepse hetimi vazhdon dhe ende po punohet për zbardhjen e rastit – u shpreh Toni Angellovski, Zëdhënës i MPB-së.

MPB-ja konfirmon për Alsat se me zbutjen e masave kundër pandemisë, respektivisht heqjen e orës policore dhe hapjen e kufijve, është rritur emigracioni ilegal. Në periudhën nga 13 maji deri më 12 qershor në kufijtë e vendit janë penguar 2643 tentime për kalim ilegal, ose rreth pesë herë më shumë krahasuar me periudhën nga 13 prilli deri më 12 maj kur u penguan 537 tentime. Lëvizjet kanë filluar të shtohen që nga 25 maji, ashtu që mesatarisht pengohen rreth 85 persona çdo ditë. 93% e tentimeve janë penguar në kufirin jugor me Greqinë, ku krahasuar me periudhën paraprake ka për 6 herë më shumë tentime. Situata në kufirin me Serbinë dhe Kosovën është njësoj, por karakteristike është rritja e numrit të tentimeve për kalim ilegal në kufirin me Bullgarinë dhe Shqipërinë. Numri më i madh i emigrantëve që duan të tranzitojnë përmes vendit tonë për në shtetet evropiane, vijnë nga Bangladeshi, Pakistani dhe Afganistani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat