Sot mbahet mbledhja e parë e përbërjes së re kuvendare në Maqedoni

Maqedonia

Sot mbahet mbledhja e parë e përbërjes së re kuvendare në Maqedoni

Më: 4 gusht 2020 Në ora: 08:57
Foto ilustrim

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, sot në mesditë, në sallën Kupola e madhe do të mbahet mbledhja e parë e përbërjes parlamentare në pajtim me protokollet shëndetësore për mbrojtje nga përhapja e Covid-19. Me mbledhjen do të kryesojë kryetari i Kuvendit në largim, Talat Xhaferi.

Sipas pikave të rendit të ditës në mbledhje do të bëhet zgjedhja e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit verifikues të Kuvendit, e më pas pason verifikimi i mandateve të deputetëve në Kuvend. Pika e tretë dhe e katërt janë zgjedhja e kryetarit, zëvendëskryetarit, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre të Komisionit kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve dhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Funksioni Kryetar i Kuvendit i takon partive të cilat do të sigurojnë shumicë për formimin e qeverisë, proces i cili formalisht fillon sot, kështu që nuk mundet me siguri të pritet se ai do të zgjedhet në mbledhjen konstituive.

Në Kushtetutë është paraparë që presidenti i vendit në afat prej dhjetë ditëve nga konstituimi i Kuvendit, mandatin për përbërje të Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend. Mandatari në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit i parashtron program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë. Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedhë Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Presidenti Stevo Pendarovski tashmë paralajmëroi se planifikon të mbajë konsultime me partitë politike pas konstituimit të Parlamentit, pas çka, në pajtim me dispozitat kushtetuese, do ta ndajë mandatin për formim të qeverisë, partisë, përkatësisht partive që do të sigurojnë shumicë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në mbledhje, si mysafirë janë ftuar presidenti Pendarovski, kryeministri në largim, Oliver SPasovski, ish-presidentë të vendit dhe të Kuvendit, kryetarët e gjykatave kushtetuese, supreme dhe të Këshillit gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, prokurori publik dhe kryetari i Këshillit për prokurorë publikë, Avokati i popullit, anëtarë të Qeverisë dhe guvernatorja e Bankës popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Mbledhjen në cilësinë e mysafirëve do ta ndjekin edhe liderë të partive politike të përfaqësuara në Kuvend, shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, kryetarët e ASHAM dhe të KSHZ-së, Prokurori shtetëror, përfaqësues të bashkësive fetare, si dhe shefa të misioneve të huaja diplomatike dhe konsullare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat