Sela dhe Gashi pranojnë ftesën e Ahmetit, kërkojnë rend dite dhe datë të re për takimin e liderëve

Maqedonia

Sela dhe Gashi pranojnë ftesën e Ahmetit, kërkojnë rend dite dhe datë të re për takimin e liderëve

Më: 12 gusht 2020 Në ora: 12:41
Ziadin Sela dhe Afrim Gashi

Koalicioni në mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, e ka pranuar ftesën e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, për takim të përbashkët të liderëve të partive shqiptare.

Ziadin Sela dhe Afrim Gashi në një kumtesë të përbashkët thonë se mekanizmi politik i tryezës është instrument i rëndësishëm politik për koordinimin e qëndrimeve të partive shqiptare.

Megjithatë, ata kërkojnë që të caktohet rend dite dhe me këtë edhe datë e re për takimin e përbashkët.

“Pas ftesës së pranuar për një takim të Tryezës së Partive Parlamentare Shqiptare, dëshirojmë t’ju përgjigjemi se Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & Alternativa, parimisht është dakord për një takim të tillë. Ne mendojmë se mekanizmi politik i Tryezës është një instrument i rëndësishëm politik për koordinimin e qëndrimeve të partive parlamentare shqiptare dhe si i tillë, mendojmë se duhet të vazhdojë të kultivohet për artikulimin e interesave shqiptare në Maqedoninë e Veriut”.

“Në funksion të një takimi përmbajtsor dhe të frytshëm, do të ishte mirë që ftesa të ketë edhe një propozim për rend dite, në mënyrë që të kemi më të qartë arsyen e organizimit të Tryezës së Partive Parlamentare Shqiptare. Në këtë drejtim, konsiderojeni mundësinë e një date tjetër, duke nisur nga e hëna (17.08.2020) e tutje, sigurisht duke na njoftuar disa ditë më herët me rendin e ditës së takimit”, thuhet në njoftimin e Selës dhe Gashit.

Ndryshe, liderët tjerë të partive politike të ftuar nga Ali Ahmeti, akoma nuk janë deklaruar nëse do të marrin pjesë në këtë takim.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat