Finalizohet marrëveshja/Këto resore do t’i marrin shqiptarët në Qeverinë “Zaev”

Maqedonia

Finalizohet marrëveshja/Këto resore do t’i marrin shqiptarët në Qeverinë “Zaev”

Më: 18 gusht 2020 Në ora: 15:28
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti dhe ai i LSDM-së, Zoran Zaev.

(E plotësuar) - Lidhja Social-Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kanë njoftuar arritjen e marrëveshjes për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut.

Marrëveshje u bë e ditur nga liderët e dy partive, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti. Kreu i LSDM-së, Zaev tha se do të jetë kryeministër me mandat të plotë katërvjeçar, duke bërë kështu të ditur se ky post nuk do të ndahet në rrotacion me BDI-në, e cila këtë post e kishte moto kryesore të fushatës zgjedhore.

Dy liderët nuk prezantuan planet e tyre për ndarjen e posteve qeveritare. Por, Zaev njoftoi se kryetar i kuvendit do të vazhdojë të jetë Talat Xhaferi nga BDI-ja.

Zaev tha se me BDI-në janë pajtuar që gjatë mandatit katërvjeçar bashkërisht të punojnë në ndarjen e përgjegjësive sikur dhe përbërjes së qeverisë së re.

“Lufta kundër koronavirusit do të jetë prioritet në punën e qeverisë, sikur edhe standardi ekonomik, rritja e pagave, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Jemi pajtuar për forcimin e sistemit të drejtësisë, hetimin e pasurisë së funksionarëve dhe të kaluarën e tyre”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Sa i përket postin të kryeministrit, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve se si BDI-ja do të arsyetojë heqjen dorë nga kjo kërkesë me të cilën udhëhoqi fushatën zgjedhore.

“Ky vendim që është marrë të martën, pritej nga të gjithë qytetarët e vendit dhe partnerët ndërkombëtarë për vazhdimin e proceseve integrues. Ne kemi dalë me kandidat (për kryeministër) si e drejt e jona legjitime dhe nëse do të barrikadohemi, asnjëherë nuk do të arrijmë zgjidhje për të mirën e qytetarëve. Mendoj se qëllimi është arritur që të përçojmë mesazhin te të gjithë qytetarët”, deklaroi Ahmeti, duke theksuar se beson se ky partnerit i radhës së me LSDM-së, do të jetë më i suksesshëm deri më tani.

Por, Zoran Zaev tha se me BDI-në janë pajtuar që 100 ditë e fundit të qeverisë, kryeministri do të propozohet nga BDI-ja.

“Qeveria e Përzhinës më nuk do të funksionojë për shkak të problemeve në të kaluarën. Por, kur vinë zgjedhjet, të gjitha partitë duhet të ndjehen të barabarta, kështu që LSDM-ja do të pranojë që 100 ditë para zgjedhjeve, me propozim të BDI-së, të zgjidhet një kryeministër i ri”, tha Zaev.

Në zgjedhjet e 15 korrikut, LSDM-ja e Zoran Zaevit ka fituar 46 ulëse në kuvend, BDI-ja 15, opozita shqiptare 12, PDSH-ja 1. Në rast se brenda 20 ditëve LSDM-ja nuk arrin ta formojë qeverinë, atëherë mandati duhet t’i kalojë partisë së dytë fituese, VMRO- DPMNE-së e cila ka 44 ulëse në kuvend.

Sipas Kushtetutës, Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut duhet të marrë minimum 61 vota të deputetëve.

***

Në Maqedoninë e Veriut, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kanë finalizuar tashmë marrëveshjen e bashkëqeverisjes.

Burime nga partitë e koalicionit zbuluan për INA-n se nuk do të ketë një kryeministër shqiptar, por partia e Ali Ahmetit do të marrë veç të tjerash Ministrinë e Financave e do të ketë sërish zëvendëskryeministrin për integrime evropiane. Ministritë e tjera në lojë për të dhe lëvizjen Besa janw ajo e mbrojtjes, Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndëretnike,  Ministria e Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Ministria e Ekologjisë, Ministria e Pushtetit Lokal, e Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim u angazhuan në bisedime te ethshme për formimin e koalicionit qeveritar pas zgjedhjeve të 15 korrikut.

Ditët e fundit, negociatat mes tyre u zhvilluan në nivelin e Sekretarëve të Përgjithshëm, Lupço Nikollovski dhe Artan Grubi, teksa në një pjesë të medias janë përhapur zëra se dy partitë kanë rënë dakord për një model 3+1 të drejtimit të qeverisë, përkatësisht tre vitet e para kryeministri të ishte i Social-demokratëve ndërsa vitin e fundit posti i kreut të qeverisë t’i lihet integristëve, me kusht nëse pushteti do të zgjaste katër vjet. Por, këto zëra i kanë hedhur poshtë si të pavërteta eksponentë të Lidhjes Social Demokrate.

Vetë LSDM-ja me 4 deputetët e Lëvizjes Besa ka 46 vende në parlament dhe me 15 deputetët e BDI-së bëjnë shumicën e nevojshme prej 61 votash për ta miratuar kabinetin qeveritar. Në koalicion pritet të jetë edhe Partia Demokratike Shqiptare me një ligjvënës në parlamentin prej 120 vendesh.

Por një koalicion i tillë megjithatë nuk konsiderohet i qëndrueshëm dhe qeveria e re, sipas disa analistëve, do të përpiqet të afrojë deputet të opozitës si maqedonase edhe shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat