Kontrolle të përforcuara në trafik, 514 gjoba për 24 orë

Maqedonia

Kontrolle të përforcuara në trafik, 514 gjoba për 24 orë

Më: 15 shtator 2020 Në ora: 15:01
Toni Angellovski

Në mjediset urbane do të ketë prani të përforcuar të policisë rrugore dhe automjete të posaçme, deklaroi sot zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski dhe informoi se MPB prej dje filloi me zbatimin e kontrolleve të përforcuara për sanksionimin e mosrespektimit të rregullave të komunikacionit në Shkup, por edhe në territorin e mbarë vendit.

Në territorin e Qytetit të Shkupit gjatë ditës së djeshme, informoi Angellovski, janë shqiptuar gjithsej 514 sanksione, mes të cilave vozitje pa patentë shofer, 30, tejkalim i shpejtësisë së lejuar të lëvizjes 87 kundërvajtje, automjete të paregjistruara 18, janë sanksionuar 36 motoçiklistë, ndërsa janë marrë katër motoçikleta. Janë shqiptuar edhe 169 sanksione për mos-mbajtje të maskës mbrojtëse.

“Në mjediset urbane për shkak të sigurimit të qarkullimit më të madh në komunikacion, do të ketë prani të përforcuar të policisë rrugore dhe automjeteve të posaçme për mënjanim të automjeteve. Gjithashtu, në mënyrë më se rigoroze do të sanksionohen vozitësit e motorëve të cilët drejtojnë mjetin në kundërshtim të rregullave dhe i shqetësojnë qytetarët në orët e vonshme të natës”, deklaroi Angellovski.

Zëdhënësi i MPB-së u bëri thirrje qytetarëve t’i respektojnë rregullat e komunikacionit, jo për ta evituar pagesën e dënimeve, siç theksoi, por para së gjithash, për ta shtuar sigurinë në komunikacion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat