Shaqiri: Vazhdojmë me digjitalizimin dhe reformat kyçe të administratës publike

Maqedonia

Shaqiri: Vazhdojmë me digjitalizimin dhe reformat kyçe të administratës publike

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 15:53
Jeton Shaqiri

Do të vazhdojmë me procesin e digjitalizimit dhe zbatimit të reformave kryesore të administratës publike në mënyrë që ta përgatisim për hyrjen në postin administrativ evropian që të sigurohen shërbime më të mira dhe më efikase për qytetarët dhe biznesin, deklaroi sot në konferencë për shtyp, ministri i ri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri.

Ai paralajmëroi se do të vazhdojë zbatimi i strategjisë aktuale për reformën e administratës publike dhe informoi se tashmë po bëhen përgatitjet për një strategji të re. Në fazën e fundit, siç kumtoi, është strategjia kombëtare e TIK për zhvillimin e shoqërisë së informacionit.

Ministri Shaqiri kumtoi se do të vazhdojnë edhe me procesin e riorganizimit dhe optimizimit të organeve të administratës shtetërore, agjencive dhe shërbimeve të inspektimit.

“Do të eliminohet mbivendosja e kompetencave ndërmjet institucioneve. Do të ketë një plan të qartë për bashkimin dhe shfuqizimin e institucioneve ekzistuese ose për institucionet e reja të nevojshme në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE. Duke pasur parasysh faktin se në shumë institucione është zbuluar një mbivendosje e kompetencave, numri i të punësuarve në sektorin publik do të ulet. Si një opsion i hapur për zvogëlimin e numrit të të punësuarve në sektorin publik janë paketat e transferimit në sektorin privat”, tha Shaqiri.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, paralajmëroi më shumë detaje rreth zvogëlimit të numrit të institucioneve pas përfundimit të analizës horizontale, ndërsa takimi i parë me ekspertët e angazhuar është caktuar për në dhjetor të këtij viti. Pas analizimit dhe përpunimit të të dhënave dhe këshillimit të odave dhe sindikatave, do të bëhet harmonizimi i nevojshëm i ligjeve për punonjësit administrativë dhe sektorin publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat