E paqartë nëse do të konfirmohen vendimet e Pendarovskit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Maqedonia

E paqartë nëse do të konfirmohen vendimet e Pendarovskit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Më: 1 tetor 2020 Në ora: 09:40
Kuvendi i Maqedonisë

Mbetet akoma e paqartë nëse Kuvendi i Maqedonisë do t’i konfirmojë pesë vendimet e presidentit Stevo Pendarovski për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, për shkak të pandemisë COVID-19, pasi deputetët e OBRM-PDUKM-së njoftuan se do të votojnë kundër.

Për konfirmimin e pesë vendimeve të presidentit, duhet së paku 80 vota të deputetëve, që është e pamundur të arrihen pa mbështetjen e të zgjedhurve nga radhët e OBRM-PDUKM-së.

Kuvendi dje e filloi seancën në të cilën në rend dite janë konfirmimi i vendimeve për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, por diskutimi nuk filloi. Kryetari Talat Xhaferi, tha se deputetët do të informohen për vazhdimin e seancës.

Deputeti i OBRM-PDUKM-së Antonio Milloshoski, tha se deputetët e opozitës maqedonase do të votojnë kundër pesë vendimeve të presidentit, pasi sipas tij, janë shfrytëzuar për qëllime parazgjedhore.

“Mendoj se këto pesë vendime e kanë gabuar qëllimin, asnjëri prej tyre nuk është shfrytëzuar nga Qeveria për ta ndihmuar ekonominë, ndërsa pasojat shihen edhe sot. Asnjë vendim nuk ishte për përmirësimin e gjendjes me pandeminë, pasi sot kemi vdekshmërinë më të madhe në rajon dhe Evropë”, tha Milloshoski.

Ndërsa nga LSDM thonë se votimi kundër vendimeve të presidentit, është akt kundër interesave të qytetarëve.

“Paralajmërimet e OBRM-PDUKM-së se deputetët e saj do të votojnë kundër konfirmimit të vendimeve për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, vetëm e konfirmojnë destruktivitetin dhe papërgjegjësinë e kësaj partie. Kjo parti udhëhiqet vetëm nga populizmi politik dhe aspak nuk kujdeset për interesin e qytetarëve dhe shtetit”, thonë nga LSDM.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat