VMRO-DPMNE-ja kërkon komision të ri për virusin

Maqedonia

VMRO-DPMNE-ja kërkon komision të ri për virusin

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 22:49
VMRO-DPMNE

Opozita maqedonase kërkon formimin e një Komisioni të veçantë dhe të pavarur për menaxhimin e situatës me pandeminë, në vend të Komisionit ekzistues për sëmundje ngjitëse që funksionon në kuadër të Qeverisë. Sipas deputetit Antonio Milloshoski, Komisioni për sëmundje ngjitëse të cilin e drejton Zharko Karaxhovski ka sjellë masa të vonuara dhe të papërshtatshme për menaxhim me pandeminë.

Të formohet një Komision special shtetëror për mbrojtje dhe luftë kundër pandemive dhe epidemive në momentin kur ata ekzistojnë ose në të ardhmen kur të ndodhnin përsëri. Propozuam që ai Komision të ketë 11 anëtarë. Në të të ishin anëtarë ministri i Shëndetësisë dhe drejtori i Qendrës për Menaxhim me Krizat kurse të tjerët do të ishin tre specialistë infektologë, dy epidemiologë, 2 mikrobiologë, 1 imunolog dhe 1 specialist internist. Për dëshpërimin tonë, kjo ide nuk u pranua nga ministri i Shëndetësisë.”-tha Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Kjo kërkesë irriton pushtetin të cilët VMRO-DPMNE-në e cilësojnë si destruktive. Ministri Filipçe thotë se kjo parti rrezikon shëndetin e qytetarëve.

Kjo është një përpjekje e menduar dhe tendencioze për pikë të politikës ditore e cila drejtpërdrejt rrezikon shëndetin e popullsisë. Që nga fillimi i krizës me kovidin në vend, nga opozita nuk pamë asgjë tjetër përveç veprime jokonstruktive, pengesa dhe kritika për të gjithë ata që japin përpjekje maksimale për menaxhimin e virusit… Kërkesa për të formuar një Komision të ri të cilin do ta zgjedhë Kuvendi si një mënyrë që gjoja të tregojnë shqetësim dhe konstruktivitet, është e pabazë. Në Komisionin për sëmundje ngjitëse anëtarë janë profesionistë të lartë, ekspertë në fushën e tyre.”-pohoi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Meqë kërkesa e opozitës është refuzuar nga ministri Filipçe që në takimin e një dite më parë, VMRO-DPMNE-ja ftoi shumicën të caktojë seancë të Kuvendit në të cilën janë të gatshëm të formojë kuorum dhe të mundësojnë miratimin e ndryshimeve në Ligjin për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse. Vetë do të votojnë të përmbajtur sepse vlerësojnë se në ndryshimet e ligjit s’ka masa konkrete për luftë me pandeminë, s’ka masë për rritjen e kapaciteteve të institucioneve që bëjnë testimin, s’ka masë për lehtësimin e testimit të grupeve të rrezikuara në shoqëri dhe as testim më të zgjeruar në komunat më të rrezikuara.

Me një VMRO-DPMNE të këtillë, nuk mund të arrihet marrëveshje absolutisht për asgjë. Pres që koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së të deklarojë se “po”, se presin thirrjen e seancës. Është jonjerëzore që të politizohet qëndrimi se do të bëjnë kuorum në Kuvend. Është detyrim i deputetëve të jenë në punë.”-tha Kostadin Kostadinov, LSDM.

Një ditë më parë, nisma për ndryshime në Ligjin për mbrojtjen e popullsisë u vendos në rend dite dhe më vonë u tërhoq. Ndryshimet parashikojnë mbajtjen e maskës në ambiente të hapura, kufizimin e grupimeve pas orës 22 dhe kufizimin e takimeve familjare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat