Bullgaria: Maqedonët nuk ekzistojnë, janë prodhim i inxhinieringut të Titos

Maqedonia

Bullgaria: Maqedonët nuk ekzistojnë, janë prodhim i inxhinieringut të Titos

Nga: D.G. Më: 22 tetor 2020 Në ora: 08:59
Liderët e Maqedonisë, Gjermanisë e Bullgarisë në konferencën për Ballkanin

Pas marrjes së dritës jeshile për të hapur bisedimet e pranimit në BE gjatë presidencës së Kroacisë me Këshillin e BE-së në mars, Maqedonia e Veriut pret që der inë fund të vitit, gjatë kryesimit të Gjermanisë, mund të thirret konferenca e parë negociatore ndërqeveritare, që është ngjarje në të cilën formalisht hapen kapitujt e parë, por këtë herë me bllokadë kërcënon Bullgaria.

Ndër të tjera, bullgarët kërkojnë që gjuha maqedonase të mos quhet maqedonase, por ekskluzivisht "gjuha zyrtare e Republikës së Maqedonisë Veriore". Bullgaria jep përshtypjen se po e përdor anëtarësimin në BE për të mohuar identitetin maqedonas, shkruan "Veçernji list"-i kroat.

Gjuha është problemi më i madh 

"Procesi i zgjerimit nuk duhet të legjitimojë inxhinierinë etnike dhe gjuhësore që ndodhën gjatë regjimeve të mëparshme autoritare", ka shkruar diplomacia bullgare në një dokument të ndarë me vendet e tjera anëtare, për të cilin gazeta kroate kishte qasje në Bruksel. Nga Shkupi, në anën tjetër, thonë se nuk mund të pranojnë poshtërimin dhe të lejojnë mohimin e identitetit maqedonas dhe gjuhës maqedonase. 

- Gjuha jonë maqedonase dhe populli maqedonas janë të regjistruar në KB, i njeh e gjithë bota - ka thënë kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe shtoi se ai pret që "miqtë nga Bullgaria" ta njohin këtë gjithashtu. 

Komiteti i përfaqësuesve të përhershëm (Coreper), i cili përfshin ambasadorë nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, diskutoi dje çështjen në një takim të Këshillit të BE-së. Përfaqësuesi bullgar shpërndau një "memorandum sqarimi" që përshkruan versionin bullgar të historisë në të cilën mbiemri "maqedonas" nuk tregon identitetin kombëtar por origjinën gjeografike sepse "gjeografikisht dhe historikisht Maqedonia është sot një zonë brenda kufijve të gjashtë shteteve", shpjegojnë Bullgarët. Ata shtojnë se Josip Broz Tito imponoi një "identitet të ri" mbi njerëzit që më parë deklaroheshin si bullgarë, serbët më vonë donin t'i identifikonin si "serbë të jugut" dhe Tito i shpalli ata maqedonas.

Dhe ai e bëri këtë, shkruajnë bullgarët, të frymëzuar nga vendimet e Kominternit. Bullgaria mund të vihet nën presion nga vendet e tjera anëtare që duan të shpërblejnë Shkupin zyrtar për punën e tij të vështirë në fillim të negociatave me BE-në. Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev ka pranuar edhe të ndryshojë emrin e vendit në mënyrë që të hiqte pengesat për fillimin e negociatave, të cilat vinin nga Greqia, dhe para marrëveshjes me Greqinë, u nënshkrua një marrëveshje për marrëdhënie miqësore me Bullgarinë, e cila duhe të hiqte pengesat bullgare. Por, bullgarët vazhdojnë të kërcënojnë me veto. Diplomatët në Bruksel shpresojnë se gjithçka do të zbutet deri në 10 nëntor, kur vendimi për të thirrur konferencën e parë ndërqeveritare në negociata duhet të miratohet nga Këshilli i çështjeve të përgjithshme të BE-së. 

Shpresat mbështeten edhe në faktin se po atë ditë në Sofje mbahet edhe Samiti i procesit të Berlinit i cili aktualisht bashkë-kryesohet mu nga Bullgaria dhe Maqedonia Veriore. Procesi i Berlinit për forcimin e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor u hartua dhe u shty me forcë nga Gjermania, e cila ishte kryesore edhe për vendimin e pranverës për dritën e gjelbër gjatë kryesimit kroat, dhe është edhe më e rëndësishme tani si kryeusese aktuale e Këshillit të BE-së. 

Por kushtet bullgare në Maqedoninë veriore janë të shumta dhe mjaft të vështira. "Asnjë dokument, pozicion ose deklaratë e BE-së dhe institucioneve evropiane nuk mund të interpretohet sikur pranon ekzistencën e një të ashtuquajture "gjuhë maqedonase" të veçantë, thonë bullgarët në memorandum.

Tetë kërkesat e Sofjes 

Tetë kërkesa specifike kanë të bëjnë me interpretimin e Bullgarisë se si duhet të duket në praktikë zbatimi i marrëveshjes së nënshkruar për miqësi me Maqedoninë e Veriut. 

Maqedonasit duhet të bien dakord se nuk ka asnjë pakicë maqedonase në Bullgari. Viktimat e regjimit komunist Jugosllav që vuajtën pse u deklaruan si bullgarë duhej të rehabilitohen. Dhe përmes punës së një komisioni të përbashkët të historianëve dhe ekspertëve të tjerë, të dy qeveritë duhet të bien dakord mbi "figurat kryesore dhe ngjarjet nga historia jonë e përbashkët deri më 1944".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat