Tërhiqen katër deputetë, tre bëhen drejtorë

Maqedonia

Tërhiqen katër deputetë, tre bëhen drejtorë

Më: 27 tetor 2020 Në ora: 16:45
Kuvendi

Në fillim të seancës së sotme parlamentare, Kuvendi ka miratuar dorëheqjet e katër deputetëve, Igor Durllovski nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Bajram Rexhepi nga BDI dhe të dy deputetëve nga LSDM, Muhamed Zeqiri dhe Sanja Llukarevska. Asnjëri prej deputetëve nuk e arsyetoi dorëheqjen e vet para Parlamentit edhe pse tanimë dihet se tre prej tyre do të emërohen në pozicione të drejtorëve në eshalonin e tretë të pushtetit ekzekutiv. Deputeti i deritanishëm, Muhamed Zekiri pritet të emërohet drejtor në Fondin për Shëndetësi, Sonja Lukarevska në Drejtorinë e të Ardhurave Publike, kurse Bajram Kadrija nga BDI është nominuar për në krye të Agjencisë për Komunikime Elektronike.

Pas konstatimit të dorëheqjeve, kryeparlamentari Talat Xhaferi i bëri thirrje Komisionit shtetëror zgjedhor ta njoftojë Parlamentin për kandidatët për deputetë të cilët janë të ardhshëm në listat prej ku u zgjodhën Durllovski, Bajrami, Zeqiri dhe Llukarevska në mënyrë që deputetëve të rinj t’u verifikohet mandati.

Pas një ore KSHZ solli në Kuvend certifikatat e deputetëve të rinj, ndërsa personalisht ata erdhën në godinën e institucionit më të lartë ligjvënës për të dhënë edhe betimin zyrtar. Në vend të deputetit Durllovski, nga lista e VMRO-DPMNE-së mandatin e mori Mirçe Axhioski, në vend të Rexhepit nga lista e BDI-së në njësinë e gjashtë u zgjodh Rina Ajdari, ndërsa në vend të Zekirit dhe Llukarevskës nga koalicioni “Mundemi” mandatin e deputetit e morën Mirosllav Jovanoviq dhe Lidija Tasevska.

Emrat e deputetëve të rinj kaluan fillimisht në komisionin parlamentar për zgjedhje dhe emërim, ndërsa më pas mandati i tyre u konstatua edhe në seancë plenare. Sot në Kuvend janë kthyer edhe dy deputetët e shumicës të cilët ishin në izolim për shkak se rezultuan pozitiv në testin e koronavirusit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat