Shkupi kërkon zgjidhje për problemet me Bullgarinë, Sofja bën thirrje për dialog

Maqedonia

Shkupi kërkon zgjidhje për problemet me Bullgarinë, Sofja bën thirrje për dialog

Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 10:17
Foto ilustrim

Kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se vendi do të vazhdojë të ofrojë zgjidhje për tejkalimin e problemeve me Bullgarinë me qëllim përfundimtar fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa homologu i tij bullgar Bojko Borisov porositi se duhet të jemi të ndershëm ndaj njëri tjetrit dhe zgjidhjen ta gjejmë në dialog dhe mirëkuptim. Gjermania, megjithatë, si kryesues aktual me BE-në nuk heq dorë nga mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare me vendin deri në fund të vitit dhe në rend dite të takimit të nesërm të ambasadorëve në Bruksel i vendosi edhe konkludimet për zgjerimin e Unionit, duke përfshirë edhe për Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri Zaev dje gjatë raportimit për 100 ditë nga formimi i Kabinetit të tij kumtoi se Qeveria vazhdimisht jep dhe do të vazhdojë të japë ide derisa nuk tejkalohen problemet dhe pengesat të cilat nga ana e Bullgarisë janë lënë anash për integrimin tonë evropian.

Grumbullo të dhëna shpejt dhe lehtë përmes Pyper

E SPONSORUARKLIKO KËTU

“Këtu është plani i veprimit i cili duhet të jetë motivim shtesë për implementim më efikas dhe më të shpejtë të Marrëveshjes me Bullgarinë. Këtu janë theksuar edhe njëherë në mënyrë shtesë qëndrimet tona, siç është emri i gjatë dhe i shkurtër, mospasja e pretendimeve territoriale, mospërzierja më punët e brendshme, mënyrat në të cilat do të përballemi me sfidat për ndalimin e urrejtjes e cila është e pranishme nga të dyja palët në kufi dhe të ngjashme. Bëhet fjalë për ide të cilat vazhdimisht janë në tryezë dhe besoj se do të jenë zgjidhja”, tha Zaev duke theksuar se bisedimet me Bullgarinë duhet të vazhdojnë sa më parë.

Ai shtoi se plani i veprimit përfshin shumë më shumë punë, jo vetëm infrastrukturën e Korridorit 8, por edhe vendkalimet kufitare dhe arsimin, kulturën, të rinjtë, sportin, shëndetësisë dhe të gjitha fushat tjera në të cilat mund ta avancojmë bashkëpunimin.

Në çështjet e identitetit në intervistë për “BE Obeserver” u përqendrua edhe presidenti Stevo Pendarovski, i cili theksoi se baza e identitet tonë është gjuha jonë, duke shtuar se për gjuhën dhe identitetin nuk mund të diskutohet, ndërsa zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive Artan rubi gjatë raportimit të 100 ditëve Qeveri porositi se në asnjë moment me Bullgarinë nuk bisedohet për çështje të gjuhës dhe të identitetit.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Nikolla Dimitrov, megjithatë, porositi se pozicioni parimor i vendit edhe në vendosmëria strategjike ndaj BE-së por edhe në pozicionin e fortë për atë se kush jemi dhe çfarë jemi si një kombinim i dy tezave plotësisht të përputhshme.

“Unë kam thënë disa herë deri më tani se nuk kemi ndërmend të ngremë duart dhe të ikim. Ne mbrojmë vlera të qarta kristal, vlera mbi të cilat janë ngritur bazat e vetë BE-së dhe në këtë frymë dhe me këtë energji do të vazhdojmë të kërkojmë zgjidhje me Bullgarinë fqinje që është e mundur vetëm përmes prizmit të respektit reciprok.”, tha Dimitrov.

Për OBRM-PDUKM-në, megjithatë, faji për veton bullgare i përket “politikave të këqija të Qeverisë”.

“Zaev dhe Dimitrov janë tandemi i cili premtuan ardhmëri evropiane. Kanë shitur gjithçka që ka mundur të shitet në këto katër vite të krenarisë dhe ajo pak që ka mbetur bëjnë pazar me të. Për këtë duhet të mbahet përgjegjësi”, deklaroi dje lideri i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, duke paralajmëruar se partia në Kuvend do të parashtrojë interpelancë për zëvendëskryeministrin Dimitrov.

Në Fejsbuk, dje u deklarua edhe kryeministri bullgar Bojko Borisov, i cili vlerësoi se duhet të jemi të ndershëm ndaj njëri tjetrit dhe të kërkojmë zgjidhje në dialog dhe mirëkuptim, duke porositur se si miq duhet të jemi të sinqertë ndaj njëri tjetrit.

“Kështu do të shkojmë përpara. Nëse inatosemi, problemet do të qëndrojnë në vend. Zgjidhja është dialogu, solidariteti, mirëkuptimi. Për një të nesërme më të mirë! Ne jemi të gatshëm për të ndihmuar. të njëjtën duam ta shohim edhe tek fqinjët dhe miqtë tanë”, theksoi Borisov në postim.

Ministri gjerman për Evropë, Mihael Rot në një tekst autorial për gazetën “Uelt” vlerësoi se Sofja nuk mund ta mbajnë peng zgjerimin e Bashkimit Evropian.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, në rrugën e tyre drejt BE-së kanë arritur shumë, përmbushën një agjendë ambicioze të reformave dhe nuk lejuan që të ndaleshin nga pengesa të ndryshme. Duke zgjidhur mosmarrëveshjen e emrit me Greqinë, Maqedonia e Veriut ka bërë histori në kuptimin e vërtetë të fjalës. Prandaj, drita e gjelbër për fillimin e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte hapi i duhur dhe i domosdoshëm. Konferencat ndërqeveritare me të dy vendet tani duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi të plotësohen kushtet. Gjermania e mbrojti fuqishëm këtë gjatë presidencës së saj në BE-në”, shkruan Rot.

Ai thotë se “BE-ja duhet të plotësoj premtimin dhe të bëj porosinë” dhe se Bullgaria nuk mund të imponojë kërkesat e saj bilaterale në nivelin evropian. “Procesi i pranimit nuk duhet të vonohet për një kohë të pacaktuar, sepse një anëtar i vetëm i BE-së e bën atë peng të kërkesave të veta bilaterale”, shkroi Rot.

Përpjekja e fundit e presidencës gjermane do të bëhet të mërkurën për të miratuar konkluzionet për zgjerimin e BE-së, duke përfshirë edhe për Maqedoninë e Veriut, Siç konfirmuan për AIM nga Këshilli i BE-së, takimi i ri ambasadorial do të mbahet të mërkurën, në të cilin do të futen në rendin e ditës, konkluzionet për zgjerimin, të cilat u hoqën javën e kaluar për shkak të bllokimit të Bullgarisë për bisedimet me Maqedoninë e Veriut.

Edhe pse presidenca gjermane i kthen konkluzionet për zgjerim në rend dite të agjendës. Në këtë kohë është e paqartë se çfarë kompromisi do të propozojë presidenca gjermane. Është e sigurt që presidenca po përgatit konkluzione të reja, por këto nuk janë njoftuar ende dhe AIM nuk është në dijeni të përmbajtjes së tyre tani për tani. Informacioni kryesor që qarkullon në qarqet diplomatike në Bruksel për dy javë është se po kërkohet një kompromis mbi një formulim në lidhje me “keqinterpretimin e historisë”.

Ndërsa presidenca e BE-së beson se kjo fjali duhet të përfshihet në hyrje për të gjitha vendet e rajonit, Sofja, sipas burimeve diplomatike, dëshiron që ajo të futet posaçërisht për Maqedoninë e Veriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat