Zjarre në disa zona të Maqedonisë së Veriut

Maqedonia

Zjarre në disa zona të Maqedonisë së Veriut

Më: 3 gusht 2021 Në ora: 18:59
Zjarre në disa zona të Maqedonisë së Veriut

Zjarret kanë përfshirë disa zona në pjesën lindore të Maqedonisë së Veriut, duke djegur të paktën dy shtëpi pranë qytetit të Koçanës. Ushtria është vënë në gatishmëri për të ndihmuar popullatën e zonave të prekura, ndërsa autoritetet thonë se nuk ka nevojë për shpalljen e gjendjes së krizës.

Disa zjarre vazhdojnë të jenë aktive në gjashtë zona të tjera. Autoritetet kanë pranuar se nuk kanë mjete moderne për shuarjen e tyre, në veçanti mungojnë helikopterët ose avionët e posaçëm për shuarjen e zjarreve gjatë natës, por nuk mjafton as numri i zjarrfikësve.

Drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Stojançe Angellov thotë se në gjendje më kritike janë Koçana dhe Staro Nagoriçani, afër Kumanovës, ndërsa vlerëson se zjarri në Koçanë mund të ishte si pasojë e qarkut të shkurtër të një linje elektrike. Ai thekson se helikopterët madje nuk guxojnë të fluturojnë në temperatura më të larta se 37 gradë Celsius, sepse mund të rrezikohen jetët e pilotëve.

Presidenti Stevo Pendarovski ka bërë të ditur se ka urdhëruar ushtrinë që t’u dalë në ndihmë zjarrfikësve dhe popullatës në Koçanë dhe në vendet tjera ku ka nevojë për të shuar zjarret. Autoritetet shtetërorë vlerësojnë se për momentin nuk ka nevojë të shpallet gjendje e krizës.

Megjithëse dëmet materiale ende nuk mund të vlerësohen saktësisht dhe as shkaktarët e zjarrit, opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE po kërkon llogaridhënie nga qeveria. Drejtuesi opozitar Hristijan Mikckovski e ka quajtur “mjerisht të paaftë” qeverinë e zotit Zaev.

Nga ana tjetër, qeveria pret ndihmë nga Serbia dhe Greqia fqinje në përpjekjet për shuarjen e zjarreve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat