Nesër zyrtarisht fillon fushata për zgjedhjet lokale

Maqedonia

Nesër zyrtarisht fillon fushata për zgjedhjet lokale

Më: 26 shtator 2021 Në ora: 10:42
Foto ilustrim

Fushata zyrtare për zgjedhjet lokale, raundi i parë i të cilave është caktuar për 17 tetor, fillon nesër. Sipas të dhënave të KSHZ -së, në garë janë rreth 11 mijë kandidatë për kryetarë dhe këshilltarë në 80 komuna në vend, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave të KSHZ -së, 301 kandidatë konkurrojnë për kryetar komune, me dominim absolut mashkullor, ku vetëm 8.31% e kandidatëve janë gra. Më shumë kandidatë ka për Shkupin- 12, ndjekur nga Struga dhe Dollneni, me nga tetë kandidatë secila, ndërsa në dhjetra komunash ka vetëm nga dy kandidatë për kryetarë komune. Gjithësej janë 24 kandidatë të pavarur.

Mbi 10,600 kandidatë janë të përfshirë në garën për këshilltarë. 675 prej tyre në 15 lista janë në garë për këshilltarë në qytetin e Shkupit, si njësi speciale e vetëqeverisjes lokale, këshilli i të cilit ka 45 anëtarë. Listat më të pakta ku janë vetëm dy, me gjithsej 18 kandidatë, janë në Vevçan.

Në zgjedhjet lokale të tetorit, 1,824,864 qytetarë kanë të drejtë vote, të regjistruar në listën e votuesve që KSHZ përfundoi të Premten.

Në këto zgjedhje, për herë të parë do të përdoren aparatet për skenimin e gjurmëve të gishtërinjve, për të identifikuar votuesit. Gjithashtu parashikohet mundësia e votimit me dokumente personale të skaduara, si dhe nëse personi nuk është regjistruar fillimisht në listën e votuesve, por i plotëson kushtet për të ushtruar të drejtën e votës.

Në listë janë gjithsej 122 parti, koalicione, kandidatë dhe lista të pavarura. KSHZ, tani më ka realizuar shortin për renditjen e partive politike në fletëvotim në zgjedhjet e 17 tetorit.

Kjo është renditja në fletëvotim:

Opsioni Qytetar për Maqedoninë – GROM

Lëvizja “Të vendosur për ndryshime” – LDP dhe DOM

Bashkimi Demokratik për Integrim

Koalicioni “Të gjithë bashkë” i përbërë nga BDI, ASH dhe AAA

Aleanca për Shqiptarët

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa

VMRO-DPMNE dhe Koalicioni “Ripërtëritja e Maqedonisë”

Partia Demokratike e Turqve të Maqedonisë

LSDM

Alternativa

PDSH

Koalicioni “Më e mira për komunën time”, i udhëhequr nga LSDM

13 Partia për Lëvizjen e Turqve në Maqedoni

VMRO – Partia popullore

“E Majta”

Lëvizja Besa

Këto zgjedhje, të tretat me radhë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit të kaluar dhe zgjedhjeve shtesë për kryetarët e komunave të Shtipit dhe Pllasnicës, organizohen me protokolle covid, si dhe parashikohet votimi në izolim.

Kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi shpalli zgjedhjet lokale më 7 gusht për t’u mbajtur me 17 tetor. Fushata e këtyre zgjedhjeve zyrtarisht fillon nesër. Fushata para raundit të parë duhet të përfundojë më 15 tetor, kur fillon edhe heshtja zgjedhore në mesnatë, ndërsa rrethi i dytë për kandidatët për kryetarë komunash do të zhvillohet më 31 tetor, konkretisht  në komunat ku nuk do të ketë fitues pas raundit të parë të votimit më 17 tetor.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat