Xhaferi: Mosfunksionimi Kuvendit është në mospunën e komisioneve kuvendare

Maqedonia

Xhaferi: Mosfunksionimi Kuvendit është në mospunën e komisioneve kuvendare

Më: 28 shtator 2021 Në ora: 16:00
Talat Xhaferi

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi e sheh mosfunksionimin e shtëpisë ligjvënëse në mospunën e komisioneve kuvendare ku janë ngujuar ligje të cilët duhet të miratohen në mbledhje plenare.

Sipas normave të tanishme në Rregulloren për punë të Kuvendit, ligji nuk mund të vihet për miratim në mbledhje plenare derisa nuk kalon nëpër komisione kuvendare. Kjo, konsideron Xhaferi, është pengesë për punën e mbledhjeve plenare.

“Komisioni vihet mbi mbledhjen plenare dhe Kuvendi nuk mund t’i kryejë kompetencat e veta për shkak të sjelljes së kryetarëve të komisioneve”, tha Xhaferi.

Për ato shkaqe, konsideron se në rregulloren e re për punë do të duhej të tejkalohen këto lëshime në drejtim të asaj nëse në afatin e caktuar me ligj nuk kalohet një ligj i caktuar në komisionin amë, i njëjti të gjendet në mbledhje plenare për miratim.

“Puna është në përgjegjësinë e kryetarëve të komisioneve, ndërsa disa nga komisionet kohëve të fundit janë bllokuar me vërejtje procedurale të deputetëve. Puna qëndron në përgjegjësinë apo papërgjegjësinë e kryetarëve të komisioneve, pa marrë parasysh se të cilës parti janë”, tha Xhaferi, duke shtuar se ai si kryetar i shtëpisë ligjvënëse nuk ka kompetenca për t’i sanksionuar komisionet.

Lidhur me interpelancat e ministrave që janë parashtruar nga ana e opozitës, Xhaferi informoi se ato janë vendosur në mbledhje, por nuk janë shqyrtuar, për shkak të mungesës së propozuesve apo të personit të cilit i përket interpelanca. Për interpelancën e tij thotë se sipas Rregullores për punë, një interpelancë e tillë nuk është parashtruar sepse në momentin kur është parashtruar, ishte kthyer për shkak të parregullsisë.

“Sipas Rregullores, në afat prej 15 ditëve është dashur që interpelanca të rregullohej dhe nëse do të ishte kthyer në këtë afat, do të kishte hyrë në procedurë kuvendare. Parashtruesit nuk vepruan pas cekjes së parregullsisë në afat prej 15 ditëve dhe sipas kësaj, konsideroj se nuk është parashtruar”, sqaroi Xhaferi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat