LSDM dhe BDI shpallin fitore në zgjedhjet lokale në Maqedoninë Veriore

Maqedonia

LSDM dhe BDI shpallin fitore në zgjedhjet lokale në Maqedoninë Veriore

Më: 17 tetor 2021 Në ora: 07:02
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut

(E plotësuar 21:35) - Pas përfundimit të votimeve për zgjedhjet lokale, partitë në pushtet, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, në vlerësimet e para flasin për epërsi në më shumë komuna.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani tha se kjo parti që në rrethin e parë ka fitues në tri komuna në ndërsa në komunat tjera kandidatët e saj janë në epërsi.

“Siç kam paralajmëruar edhe gjatë fushatës, pres që rezultatet të tregojnë një mbështetje të fortë të kandidatëve të BDI-së. Mund të konfirmoj se në raundin e parë BDI fiton në Saraj, Likovë dhe në Pllasnicë. Kurse jemi në epërsi në të gjitha komunat e vendit me dallim dy me një dhe diku me tre me një”, tha Osmani.

BDI-ja procesin zgjedhor e ka vlerësuar demokratik dhe të qetë, që sipas Bujar Osmanit “dëshmon se qeveria aktual vazhdon të organizoj zgjedhje evropiane”.

Lidhja Social Demokrate njoftoi për “rezultat pozitiv” të LSDM-së në shumicën e 80 komunave ku të dielën u votua për zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe këshillat komunale.

“Urojmë institucionet të cilat edhe një herë organizuan zgjedhje të lira dhe demokratike, ashtu siç i ngjan një shteti anëtar të NATO-së dhe kandidat për anëtarësim në BE. Kishte disa incidente të vogla, por që u mënjanuan me kohë. Votimi biometrik ishte sfidë për ne, por e kapërcyem edhe këtë risi... po përpunojmë të dhënat dhe të dhënat e para flasin edhe për një fitore të sigurt të LSDM-së, tha sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Lupco Nikollovski.

VMRO DPMNE-ja ndërkohë doli me akuza për keqpërdorim të procesit zgjedhor

"Në pushtet kemi një grup të zhytur në krim dhe korrupsion. Prandaj, ne kishim zgjedhje me shumë parregullsi, prishje të procesit zgjedhor dhe veprime korruptive të qeverisë. Ne kemi vërejtur shkelje të heshtjes zgjedhore, kanosje, presion dhe shantazh nga mbajtës të posteve publike, ministra, keqpërdorim të burimeve shtetërore për qëllime partiake", deklaroi Mile Lefkov nga VMRO DPMNE-ja.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deri në orën 18:30 minuta në votime kanë dalë 49.29 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, apo 697,637 qytetarë nga 1.8 milion me të drejtë vote.

Pjesëmarrje më e lartë është regjistruar në komunën e Vevçanit, prej rreth 73 për qind ndërsa më e ulët në komunat me shumicë shqiptare në pjesën perëndimore të vendit, edhe atë mes 30 dhe 40 për qind.

Procesi zgjedhor është zhvilluar kryesisht i qetë dhe pa incidente që do të prishnin rrjedhën e votimit.

Konferenca për media e radhës e KSHZ-së është paralajmëruar për në orën 21:00.

Në votimet e ditës së diel qytetarët kanë zgjedhur kryetarët e 80 komunave dhe të këshillave komunalë si dhe Shkupin me dhjetë komuna, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Për kryetarë të komunave garuan 299 kandidatë dhe 577 lista këshilltarësh me 10,600 kandidatë.

Gara kryesore në këto zgjedhje zhvillohet mes dy blloqeve politike; LSDM-së dhe BDI-së që janë në pushtet dhe partive opozitare VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Partitë shqiptare garën e zhvilluan për qytetet me shumicë shqiptare, si Tetovë, Gostivar, Çair, Kërçovë, Strugë, Dibër si dhe disa komuna rurale.

Beteja mes partive maqedonase është përqendruar në qytetet e mëdha si Shkupi, Manastiri, Prilepi, Ohri, Velesi, Shtipi dhe komunat tjera më të vogla.

***

Komisioni Shtetërorë i Zgjedhjeve njofton se deri në orën 18:30, jehona e votuesve ka arritur në 48,96 për qind.

Sipas të dhënave të MPB-së, dalja ka qenë më e madhe pas orës 15:00, ku pjesëmarrja deri në atë orë ka qenë më pak se 30 për qind.

Në orët e fundit është vërejtur një fluks i shtuar i qytetarëve që u janë drejtuar qendrave të votimit në të gjithë vendin.

Nga ana tjetër kryetari i KSHZ-së tha se mund të ketë shtyrje të orarit të votimit për shkak të mosfunksionimit të aparateve biometrike.

***

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror për Zgjedhje, deri në ora 17:00 kanë votuar 41.38% e votuesve në Maqedoni.

Deri tani procesi i votimit po shkon qetë, ndërsa në disa vendvotime ka pasur probleme me pajisjes për identifikimin e gjurmëve të gishtit.

Në Gjevjeli ka më së shumti dalje me 52.9%, ndërsa më pas vjen Vallandova me 52.34%, Bogdanci me 48.65%.

Deri në orën 15:00 dalja në votime 31.49% 

Kryetari KSHZ-së Aleksandar Dashtevski në konferencën e tretë të sotme për shtyp njoftoi se jehona e daljes së qytetarëve deri në orën 15:00 është 31.49 përqind

Jehonë më të madhe ka në Novac 59.16 përqind, Demir Hisar 54 përqind.

Jehonë më të ulët të daljes në votim ka në Vrapçisht me 21.28, Bogovinë 21.28, Gostivar 23.97 përqind, Tetovë me 25.51

Në 11 vendvotime do të zgjatet votimi për shkak të mosfunksionimit të ‘fingerprintave’

Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftojnë se deri tani votimi shkon mirë me disa probleme me pajisjet për identifikimin e personave ose ‘fingerprintave’.

Turmë ka në disa vendvotime në gjithë vendin për shkak të problemave që u paraqitën me pajisjet për identifikimin e personave përmes gjurmëve të gishtave. Disa qytetarë u ankuan se pajisja nuk i ka njohur dhe është dashur të votojnë në mënyrën e vjetër tradicionale.

nga KSHZ njoftojnë se në 11 vendvotime ka pasur ndalesë vonimi për mbi 1 orë për shkak të problemeve teknike, ndërsa në gjashtë vendvotime, votohet sipas mënyrës së vjetër.

“Në gjashtë vende po votohet në mënyrën e vjetër. Ka edhe disa me probleme teknike dhe nuk mund të ndryshohet pajisje për shkak të automjetit dhe bëhet fjalë për një numër të vogël të votuesve”, tha Dashtevski.

Ndryshe, në këto zgjedhje lokale për herë të parë votohet me pajisje për identifikim biometrik, ndërsa për këtë qëllim janë blerë 4 mijë pajisje të shpërndara në 3.480 vendvotime

***

Në Maqedoninë e Veriut deri në ora 13:00 të drejtën e votës për zgjedhjet lokale e kanë shfrytëzuar 20.76 për qind e votuesve, apo 197.952 votues nga 1.824.864 sa kanë të drejtën e votës.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski tha se për dallim nga orët e para, kur ishin regjistruar probleme teknike me votimin biometrik, tani procesi po zhvillohet kryesisht pa probleme.

Për shkak të pamundësisë për të votuar me sistemin “fingerprint”, votimi në gjashtë komuna nga 80 sa janë gjithsej, po zhvillohet me mënyrën e vjetër ndërsa në 11 komuna ka pasur ndërprerje të votimit për më shumë se një orë. Në këto komuna votimi do të vazhdojë edhe pas orës 19, por jo më shumë se tre orë.

Për kryetarë të komunave garojnë 299 kandidatë dhe 577 lista këshilltarësh me 10,600 kandidatë.

Gara kryesore në këto zgjedhje zhvillohet mes dy blloqeve politike; LSDM-së dhe BDI-së që janë në pushtet dhe partive opozitare VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Partitë shqiptare garën do ta zhvillojnë për qytetet me shumicë shqiptare, si Tetovë, Gostivar, Çair, Kërçovë, Strugë, Dibër si dhe disa komuna.

Beteja mes partive maqedonase është përqendruar në qytetet e mëdha si Shkupi, Manastiri, Prilepi, Ohri, Velesi, Shtipi, dhe komunat tjera më të vogla.

Shumica e komunave aktualisht drejtohen nga Lidhja Social - Demokrate e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev ndërsa komuna me shumicës shqiptare nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Zgjedhjet do të mbikëqyren nga 1,100 vëzhguesit vendorë dhe 217 vëzhgues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë OSBE-ODIHR.

Ali Ahmeti: Zgjedhjet e lira janë pasqyra e demokracisë

Kryetar i BDI-së, Ali Ahmeti ka kryer obilgimin e tij qytetar, shkruan "Bota sot".

Ahmeti ka thënë sezgjedhjet e lira janë pasqyra e Demokracisë.

Image
Ali Ahmeti

"Sipas vlersimeve tona Kërçova nuk ka rreth të dytë", tha Ahmeti.

Problemet me “fingerprint” në Maqedoni, OSBE-ODIHR: Mbajmë shënim

Procesi i votimit për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, ka nisur me probleme teknike, që kanë të bëjnë me aparatet biometrike për votim.

Shefja e misioni vëzhgues të OSBE-ODIHR, Tana De Zulueta deklaroi sot se 165 vëzhguesit e tyre janë në terren dhe se po ndjekin votimet.

Lidhur me shqetësimet për problemet me aparatet biometrike të identifikimit, De Zulueta theksoi se po mbahen shënime për gjitha këto dhe se pasqyra e përgjithshme do të shihet në fund të ditës.

Zgjedhjet komunale në Maqedoninë Veriore, Pendarovski: Gjithçka po kalon në atmosferë pozitive

Presidenti i Maqedonisë Veriore Stevo Pendarovski ka vlerësuar pozitivisht ecurinë e procesit zgjedhor në komunat e këtij vendi.

Ai në një deklarim për media tha se zgjedhjet e sotme do të jenë kredibile dhe pret njësoj që të jetë edhe në raundin e dytë më 31 tetor.

Pendarovski: Gjithçka po kalon në atmosferë kryesisht pozitive

“Sipas informacioneve të deritanishme gjithçka po kalon në atmosferë kryesisht pozitive. Shpresoj që deri në fund të procesit zgjedhor të mbetet kështu deri në orën 19:00, pas së cilës duhet të numërohen dhe të publikohen rezultatet e zgjedhjeve lokale. Secili shtet serioz duhet të mbetet e mobilizuar deri në fund të procesit zgjedhor dhe presim që edhe më 31 tetor, kur mbahet raundi i dytë, ta mbajmë kredibilitetin e procesit zgjedhor”, tha ai.  

***

Edhe Ziadin Sela ballafaqohet me probleme me indetifikimin e gishtit

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela ka shfrytëzuar të drejtën e votes. Ai ka votuar në shkollën fillore komunale “ Aki Dika” në Livadhi.

Por vlen të theksohet se gjatë votimit edhe kreu i ASH-së është përballur me probleme me identifikimin përmes aparatit biometrik. Nga orët e para të votimeve janë paralajmëruar shumë parregullësi lidhur me këto aparate. 

Image
Ziadin Sela

***

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KShZ) ka bërë të ditur se deri në orën 11:00 në Maqedoni kanë votuar 135 mijë e 906 qytetarë, gjegjësisht 10,22 përqind.

KShZ në konferencën për medie tregoi se më së paku votues deri në orën 11:00 janë regjistruar në Vrapçishtë.

“Më tepër dalje ka në komunën Novaci me 25.84 për qind, Kriva Pallanka me 20,44 për qind, Vevçani me 18.61 për qind. Ndërsa komuna me më së paku votues deri në ora 11 është Vrapçishta me 4.92 për qind”, tha Lubka Guguçevska nga KSHZ.

Sot në Maqedoninë e Veriut për të shtatën herë që nga historia e pavarësisë së vendit mbahen zgjedhjet lokale.

Sot zhvillohet procesi zgjedhor. Në garë për 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit janë 299 kandidatë, ndërsa mbi 10,600 kandidatë për këshilltarë komunal dhe këshillin e Qytetit të Shkupit.

Më së shumti kandidatë për kryetar ka për Shkupin, respektivisht 12, ndërsa Struga dhe Dollneni kanë nga 8 kandidat. 24 janë kandidatë të pavarur. Nga kandidatët për kryetar komune vetëm 25 prej tyre janë femra.

Ambasada e SHBA: Zgjedhje të lira, korrekte dhe transparente janë esenciale për demokracinë

Në Maqedoninë e Veriut janë duke u zhvilluar zgjedhjet lokale.           

Zgjedhje të lira, korrekte dhe transparente janë esenciale për çdo demokraci të fuqishme, njoftoi Ambasada e SHBA-së në faqen e saj në Fejsbuk.

“Sot i duartrokasim qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët të drejtën e tyre në këtë parim vital demokratik e realizojnë në zgjedhjet lokale në mbarë vendin”, qëndron në postimin e Ambasadës amerikane.

Në Maqedoninë e Veriut sot mbahen zgjedhjet e shtata lokale ku zgjidhen kryetarë komune dhe këshilltarë në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Në 3.480 vendvotime, qytetarët votën e tyre mund ta japin për gjithsej 10.831 kandidatë nga të cilët 299 për kryetarë komune, ndërsa të tjerët për këshilltarë, në 91 fletëvotime të parashtruara nga grupi i votuesve gjegjësisht të pavarur dhe 31 lista nga partitë politike dhe koalicione.

***

Procesi i votimit për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, ka nisur me probleme teknike, që kanë të bëjnë me aparatet biometrike për votim. Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski tha se në shumë vendvotime aparatet ose nuk kanë mund të vihen në përdorim ose votuesit nuk kanë mundur të identifikohen.

“Me kalimin e kohës, gjendja me aparatet po përmirësohet dhe tani janë një numër i vogël i vendvotimeve ku kemi ende probleme”, ka deklaruar Dashtevski duke bërë të ditur se votimi në këro vendvotime do të zgjasë edhe pas orës 19:00, për aq kohë sa kishte ndërprerje, por jo më shumë se tre orë.

Edhe komisionerët në qendrat e votimit thonë se përballen më shumë probleme teknike pasi një pjese të konsiderueshme të qytetarëve aparati për identifikimin e shenjave të gishtit nuk ua lexon të dhënat personale.

“Procesi zgjedhor këtë vit rrjedh më ngadalë për shkak të aparatit të leximit të shenjave të gishtave. Kjo shkakton revoltë te qytetarët në rastet kur nuk mund të lexojnë shenjat e gishtave pasi aparati nuk e tregon identitetin ndërkohë që ai qytetar është i evidentuar si votues në listën zgjedhore” thotë Enver Shabani komisioner në një qendën votimi në komunën e Çairit.

Nga ana tjetër Mimoza Radevska nga një qendër votuese në komunën Qendër të Shkupit thotë se risi kanë sjellë probleme të cilat, siç thotë, gradualisht tejkalohen.

“Aparati tregon se është i dobët kualiteti i shenjave të gishtave. Dhe në atë rast vazhdon votimi me identifikimin përmes kartës së identitetit ose pasaportës dhe përdoret llampa me rreze ultravjollcë dhe spreji ndërkohë që shenja e gishtit tregues vendoset në një listë të veçantë”, thotë Radevska.

Nërkohë qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë presin kushte më të mira në komunat ku jetojnë.

Jasin Ademi, student, thotë se pret që të krijohen kushte më të mira në komunën e Çairit ku jeton, veçanërisht përmirësimin e infrastrukturës për të lëvizur me biçikleta dhe kushte më të mira në shkolla.

"Më së pari kushte më të mira në shkolla. Shkollat nuk janë të rregulluara aspak. Unë kam mësuar në shkollën e mesme Cvetan Dimov ngrohje nuk ka pasur, mungojnë kushte elementare”, thotë Ademi.

Nga ana tjetër Dragi Ilievski thotë se nga kryetari i ri i Shkupit pret që të angazhohet për krijimin e më shumë hapësirave të gjelbëra.

“Nga kryetari i ri pres të angazhohet që ta bëj më të mirën për komunën e ajo është të mos uzurpohen hapësirat e gjelbëra”, thotë Ilievski.

Votimet me protokolle shëndetësore

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të dielën u janë drejtuar kutive të votimit për zgjedhjet e kryetarëve të 80 komunave dhe të këshillave komunalë, si dhe Shkupin me dhjetë komuna, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Të drejtë vote, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, (KSHZ) kanë 1,824.864 qytetarë, të cilët për herë të parë votojnë me sistemin e ri biometrik - identifikimin e votuesve përmes gjurmëve të gishtave, i njohur si “fingerprint”.

Qytetarët votojnë me protokolle shëndetësore për mbrojtje nga pandemia e koronavirusit. Maskat mbrojtëse, distanca dhe dezinfektimi janë kriteret kryesore për realizimin e procesit votues.

Vendvotimet do të mbyllen në orën 19:00 ndërsa rezultatet pritet të publikohen në faqen elektronike të KSHZ-së, ashtu siç arrijnë nga qendrat e votimit.

Për kryetarë të komunave garojnë 299 kandidatë dhe 577 lista këshilltarësh me 10,600 kandidatë.

Më së shumti kandidatë ka për kryetar të Shkupit, gjithsej 12.

Probleme me aparatet për leximin e shenjave nga gishti edhe në Gostivar

Procesi zgjedhor në Zgjedhjet e sotme lokale në Gostivar filloi pa probleme. Më shumë se gjysma e aparateve të cilat i lexojnë shenjat nga gishti nuk kanë mundur të aktivizohen, informojnë nga KKZ Gostivar.

Për shkak të problemeve të paraqitura do të mbahet takim që të konfirmohet si do të zhvillohet votimi më tej. Atje ku nuk punojnë aparatet, procesi zhvillohet sipas udhëzimeve të KSHZ-së në të gjitha 121 vendvotimet. Në listën për votim janë të regjistruar 80.050 persona.

Nga KKZ Mavrovë Rostushë të gjitha 39 vendvotimet janë hapur në afatin e paraparë. Në listën zgjedhore ka 10.144 persona me të drejtë vote.

Nga KKZ Vrapçisht informojnë se të gjitha 39 vendvotimet janë hapur në kohë dhe vështirësitë të cilat janë paraqitur kanë tejkaluar, ndërsa procesi i votimit zhvillohet sipas parashikimeve. Në këtë komunë për votim janë regjistruar 26.383 qytetarë.

***

Vijon votimi në Kumanovë, Likovë dhe Nagoriçan të Vjetër

Po vijon procesi zgjedhor në Kumanovë, njoftoi kryetarja e KKZ, Brankica Dimkoviq. Të drejtë vote në komunën më të madhe të shtetit kanë 93.986 votues të cilët votojnë në 167 vende. Sipas të dhënave të KSHZ-së, deri më tani janë përpunuar një përqindje e caktuar e vendvotimeve në tri komunat të cilat po ndryshojnë minutë pas minute.

“Kemi probleme teknike me pajisjet për identifikim biometrik. Ekipet për mbështetje teknike vazhdimisht janë në teren”, deklaroi kryetarja e KKZ, Dimkoviq.

Votimi po bëhet rrjedhimisht edhe në komunën e Likovës. Probleme teknike në fillim të votimit ka pasur me aparatet për gjurmë të gishtit, informoi kryetarja e KKZ, Ajshe Demiri e cila theksoi se tashmë po tejkalohen. Në Likovë të drejtë vote kanë 26.042 votues të cilët votojnë në 36 vende.

Në Nagoriçan të Vjetër të drejtë vote kanë 3.262 votues të cilët të drejtën e votës e realizojnë në 38 vende.

“Kemi probleme me aparatet për leximin e gjurmëve të gishtërinjve në disa vende”, tha kryetari i KKZ, Marjan Daillovski.

***

Votoi kandidati i pavarur për Kërçovën Fatmir Limani

Sot po mbahen zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut .   

Të gjithë qytetarët mbi moshën 18 vjeçare kanë të drejtë të votojnë.

Në vendvotimin në lagjen e Biçincës të drejtën qytetare për të votuar e ka shfrytëzuar kandidati i pavarur për Komunës e Kërçovës, Fatmir Limani.

Aii bëri thirrje tek qytetarët që masovikisht të marrin pjesë në këto zgjedhje.

KSHZ-Maqedoni: Përqindja e votuesve është 3.28 për qind

Komisioni Shtetërorë i Zgjedhjeve deri në ora 09:30 ka marrë informacione nga vetëm 1.325 vendvotime.

Prej gjithsej 3.480 vendvotimeve.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski tha se gjithsej kanë votuar mbi 23 mijë qytetarë.

“Numri i përgjithshëm i atyre që kanë votuat në vendvotime, për të cilët kanë ardhur të dhëna janë 23.468, përqindja e votuesve është 3.28 për qind”, deklaroi Dashtevski.

***

Në Komunën Qendër, vonohet votimi

Në shkollën fillore “Kole Nedellkovski” në Qendër në “Dibër Malo” në vendvotimin 2867 votimi ende nuk ka filluar.

Si arsye thuhet se është është pamundësia për të votuar.

Për shkak të një problemi me sistemin që lidh pajisjet e skanimit të gjurmëve të gishtërinjve.

Qendrat e votimit hapen sot në orën 07:00.

***

Pengesa në vendvotimin 2942 në Çair, nuk punon “fingerprinti”

Vendvotimet në Çair janë hapur me kohë. Mirëpo në vendvotimin me numër 2942 në Shkollën Fillore Ismail Qemali, i ashtuquajturi sistem i fingerptint nuk po funksionon dhe si rrjedhojë qytetarët nuk po munden të ushtrojnë të drejtën e votës në këto zgjedhje lokale.

Kryetari i Qendrës së votimit, Feta Ibrahimi tha se problemet janë raportuar dhe se priten së shpejti të vijnë autoritet.

Nuk punon aparati biometrik, votimi nuk fillon në kohë në një vendvotim në në Butel

Aparatet biometrike të cilat për herë të parë po përdoren në vend për të identifikuar votuesit, po bëhen pengesë për nisjen në kohë të procesit të votimit.

Kështu, në vendvotimin numër 2919/1 në shkollën fillore “Petar Zdravskovski – Penko” në Butel nuk punon aparati biometrik, dhe procesi i votimit nuk ka filluar në ora 07:00, por me 30 minuta vonesë.

Priten llambat UV që të fillojë votimi sipas procedurës së vjetër, ku votuesit janë identifikuar në mënyrë manuale.

Sot po mbahen zgjedhjet edhe në Kosovë.

Komiteti i Helsinkit ka hapur zyrën për raportimin e shkeljeve të së drejtës së votës

Zyra e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut sot do të jetë e hapur gjatë gjithë ditës, në mënyrë që t’u mundësojë qytetarëve të raportojnë shkeljet e së drejtës së votës gjatë zgjedhjeve lokale.

Komiteti i Helsinkit i inkurajon të gjithë qytetarët që konsiderojnë se e drejta e tyre për të votuar është shkelur që ta raportojnë rastin në zyrën e Komitetit, e cila gjendet në adresën rr. “Naum Naumovski Borçe” numër 83 në Shkup dhe përmes numrave të telefonit 02 3119 073 dhe 072 278 436.

Përveç regjistrimit personal dhe telefonik, raportimi është i mundur edhe përmes postës elektronike në [email protected]. Raportimi përmes postës elektronike duhet të përmbajë një shpjegim të shkurtër të shkeljes, vendndodhjen, njësinë zgjedhore dhe numrit e vendvotimit, si dhe kohën e ndodhjes së shkeljes së të drejtës së votës.

Komiteti i Helsinkit informon se qytetarët mund t’i paraqesin raportimet duke i theksuar të dhënat e tyre personale ose në mënyrë anonime, ndërsa të gjitha raportimet do të hetohen më tej për të verifikuar vërtetësinë e tyre. Besueshmëria dhe paprekshmëria e të dhënave personale garantohet nga Komiteti i Helsinkit dhe ato nuk do të publikohen pa lejen paraprake nga qytetarët që kanë raportuar shkeljen.

1045 vëzhgues do t’i ndjekin zgjedhjet në Maqedoni

Për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut janë akredituar 1045 vëzhgues nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Sipas informatave nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor këto zgjedhje do të monitorohen nga vëzhgues vendor dhe ndërkombëtar.

Aksios – asociacioni qytetar për zgjedhje do të ketë 512 vëzhgues, CIVIL do të ketë 190 vëzhgues si dhe 12 vëzhgues do të jenë nga Instituti për strategji ekonomike dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

Gjithashtu janë akredituar edhe 219 vëzhgues ndërkombëtar dhe 40 përkthyes për këto organizata ndërkombëtare.

OSBE/ODIHR ka 217 vëzhgues, Ambasada e SHBA-ve ka 15, Ambasada britaneze ka 7 vëzhgues, Ambasadat e Francës dhe Hungarisë kanë nga 6 vëzhgues, IFES dhe ambasada e Shqipërisë kanë nga 5 vëzhgues dhe Komisioni zgjedhor i Bosnjes ka 3 kurse ambasadat e Greqisë, Bullgarisë dhe Spanjës kanë nga dy vëzhgues. /

***

Në Maqedoninë e Veriut ka filluar votimi. Vendvotimet janë hapur në ora 07:00, ndërkaq do të mbyllen në ora 19:00.

Nëse votimi ndërpritet më gjatë se një orë, atëherë do të vazhdojë për aq kohë sa ka zgjatur ndërprerja, por jo më gjatë se tre orë.

Në orën 19:00 vendvotimet mbyllen. Procesverbalet dhe materialin tjetër zgjedhor, komisioni zgjedhor i dorëzon në Komisionin Komunal Zgjedhor, gjegjësisht në Komisionin Zgjedhor në Qytetin e Shkupi në afat prej 5 orësh nga përfundimi

Veçantia e këtyre zgjedhjeve është se votuesit do të identifikohen me aparate biometrie

Maqedonia e Veriut sot mban zgjedhjet komunale

Maqedonia e Veriut do të mbajë sot zgjedhjet lokale.

Ato po mbahen në po të njëjtën ditë me ato që po zhvillohen sot në Kosovë

Këto janë zgjedhjet e shatat komunale në vendin fqinjë.

Ndërkohë dje votuan edhe të burgosurit si dhe të infektuarit me COVID-19 të cilët ndodheshin në izolim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat