Maqedonia e V. regjistron 24 viktima dhe 2,269 raste me koronavirus

Maqedonia

Maqedonia e V. regjistron 24 viktima dhe 2,269 raste me koronavirus

Më: 18 janar 2022 Në ora: 19:19
Ilustrim

Maqedonia e Veriut ka regjistruar të martën 24 viktima dhe 2,269 raste të reja të infektimit me koronavirus

Kjo shifër e të infektuarve përbën rekord prej prillit të vitit 2021, ka bërë të ditur Instituti i Shëndetit Publik në Shkup.

Numri i rasteve aktive në Maqedoninë e Veriut ka arritur në rreth 18,500 ndërsa i vdekjeve në 8,139, nga rreth 247,000 persona të diagnostikuar me këtë virus.

Sipas raportit të publikuar të martën, 1,420 persona janë shëruar në 24 orët e fundit.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, numri i të infektuarve me koronavirus brenda një jave ka shënuar rritje prej 33,9 për qind.

Nga 10 deri më 16 janar janë infektuar 11,200 persona, në 35 qytete të Maqedonisë së Veriut.

Numri më i madh i rasteve është në Shkup.

“Numri më i madh i të infektuarve janë të moshës mbi 60-vjeçare, por rritje ka edhe nën këto moshë, respektivisht mes moshës 50-59 krahasuar me një javë më parë. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 55 viktima në 15 qytete të vendit, që paraqet rritjeve të vdekjeve për 34,1 për qind”, thuhet në raportin e Institutit të Shëndetit Publik.

Për shkak të rritjes së rasteve me koronavirus, Qeveria e Maqedonisë së Veriut të hënën vendosi shtyrjen për dy javë të gjysmëvjetorit të dytë në arsimin fillor dhe të mesëm.

Mësimi me prani fizike do të fillojë më 1 shkurt.

Ministria e Arsimit u ka bërë thirrje prindërve të nxënësve që t’iu përmbahen masave për mbrojtje nga pandemia që procesi mësimor të nisë me sukses në afatin e përcaktuar nga Qeveria.

Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara (UNICEF) ka thënë pëmes një komunikate se “mbyllja e shkollave me praninë fizike duhet të jetë zgjidhja e fundit e Qeverisë”.

“Edhe një valë tjetër mbylljeje shkollash do të ishte katastrofike për fëmijët. Maqedonia e Veriut tashmë kishte mbylljen më të gjatë të shkollave në rajon, kur shkollat në vend u mbyllën për gjithsej 54 javë, krahasuar me mesataren prej 24 javësh në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. Më shumë se 60 për qind e mësuesve thanë se nxënësit kanë vështirësi në përvetësimin e programeve arsimore për shkak të mbylljes së shkollave”, thuhet në reagimin e UNICEF-it.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat