VOA: Parlamenti debaton për ngritjen e pagës minimale

Maqedonia

VOA: Parlamenti debaton për ngritjen e pagës minimale

Më: 22 shkurt 2022 Në ora: 23:49
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut hapi debatin për miratimin e ligjit për ngritjen e rrogës minimale në bazë të një vendimi të qeverisë të para dy javëve. Vendimi parashikon që pagat më të ulëta të cilat aktualisht janë 15,200 denarë (rreth 280 dollarë), duhet të ngriten në 18 mijë denarë (rreth 330 dollarë). Me këtë do të përfitojnë reth 80 mijë punëtorë të sektorit publik edhe atij privat.

Deputetët e opozitës, ndonëse thonë se do ta mbështesin propozim-ligjin, kritikojnë shumicën parlamentare pse nuk e miratoi një amendament të saj që parashihte ngritjen e pagave edhe në disa fusha të tjera, si bie fjala atë të arsimit.

Vendimi për ngritjen e pagës minimale u arrit pas këmbënguljesh dhe kërcënimesh për protesta të sindikatave në një kohë kur vendi po përballet me vështirësi energjetike dhe shëndetësore, si rrjedhojë e pandemisë së COVID-19. Sindikatat kërkuan që pagat tjera të rriten gradualisht.

Shteti do t’i ndihmojë me subvencione kompanitë shtetërore dhe ato private të cilat do të detyrohen t’ua rrisin për rreth 2800 denarë (rreth 50 dollarë) pagat mujore punëtorëve të tyre. Qeveria parashikon të ndajë 16 milion euro nga buxheti deri në fund të vitit për të mbuluar dallimet në të ardhurat e punëtorëve.

Një prej odave ekonomike të vendit ka njoftuar për disa kompani që janë në prag të mbylljes apo që po largojnë punëtorët për shkak të detyrimit për rritjen e pagave.

Rroga e ngritur do të llogaritet nga muaji mars dhe do të paguhet në fillim të prillit.

Opozita shprehet se rroga minimale prej 18 mijë denarësh “është shpenzuar para kohe” për shkak të inflacionit, ndërkohë që thotë se do të krijohen komplikime nëse nuk merret parasysh koeficienti për pagat sepse kjo do të bëjë që punonjës me kualifikime të ndryshme të marrin paga përafërsisht të njejta.

Ndërkohë, rroga mesatare mujore në Maqedoninë e Veriut është rreth 30 mijë denarë, ose rreth 487 euro. Sips Entit Shtetëror të Statistikave, paga mesatare ka shënuar ngritje nga 12 deri në 13 përqind në sektorët e transportit, ndërtimtarisë dhe tregëtisë me shumicë e pakicë. Por, çmimet e artikujve ushqimorë, karburanteve dhe një sërë shërbimesh të tjera janë ngritur dukshëm në pak muajt e fundit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat