PTHP do të ngrit kallëzim penal kundër katër personave për djegien e spitalit në Tetovë

Maqedonia

PTHP do të ngrit kallëzim penal kundër katër personave për djegien e spitalit në Tetovë

Më: 13 maj 2022 Në ora: 14:38
Prokuroria Themelore e Tetovës

Prokuroria Themelore e Tetovës do të ngre kallëzim penal kundër tre personave fizik dhe një personi juridik, për djegien të spitalit modular në Tetovë.

Lënda pritet t`i dorëzohet Gjykatës së Tetovës gjatë javës së ardhshme, pas referimit të së njëjtës para prokurorisë republikane, nga ku edhe është marrë mendim pozitiv.

“Prokurorët e lëndës, bënë referimin para Prokurorisë Republikane dhe lënda është para përfundimit. Brenda javës së ardhshme, pritet që lënda t`i dorëzohet Gjykatës së Tetovës për procedim të mëtejmë. Pas përfundimit të hetimeve, do të vazhdohet me ngritjen e akuzave kundër tre personave fizik dhe një personi juridik”, janë shprehur për “Alsat” nga Prokuroria.

Gjatë procedurës parahetimore janë thirrur mbi 30 mjekë dhe infermiere, që kanë qenë të angazhuara në COVID qendrën e Tetovës natën e kobshme kur modulari u përfshi nga flakët, për të dhënë dëshmitë e tyre para prokurorëve të lëndës.

Janë thirrur edhe dëshmitarë okularë, por edhe familjarë që janë ofruar vetë për të dhënë dëshmitë e tyre. Në hetim u kyçën edhe ekspertë gjermanë, raporti i të cilëve mbërriti tre muaj më parë. Në 8 shtator të vitit të kaluar spitali modular i Tetovës, ku po trajtoheshin 26 pacientë, u bë shkrumb. Jetën e humbën 14 persona, prej të cilëve 12 pacientë dhe dy persona që kujdeseshin për familjarët e tyre.

Pas ngjarjes ministri i atëhershëm i Shëndetësisë Filipçe dhe zëvendësi i tij Ilir Hasani dhanë dorëheqje, por të njëjtat nuk u pranuan nga ish kryeministri Zoran Zaev. Dorëheqje dhanë edhe drejtori i përgjithshëm i Spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe drejtori ekonomik Artan Etemi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat