​Maqedoni e Veriut, çmimet e produkteve e shërbimeve bazë rriten mbi 50% brenda vitit

Maqedonia

​Maqedoni e Veriut, çmimet e produkteve e shërbimeve bazë rriten mbi 50% brenda vitit

Më: 15 maj 2022 Në ora: 17:39
Shkupi

Gati 452.000 qytetarë në Maqedoninë Veriore jetojnë nën kufirin e varfërisë, sipas të dhënave të fundit nga Byroja Qendrore e Statistikave. Qytetarët mezi arrijnë ta mbijetojnë muajin. Njëri prej tyre është Ademi, i cili shet fidanë të perimeve që i rrit në një treg në kryeqytetin Shkup. Këto të ardhura shtesë, thotë Ademi, e ndihmojnë atë të mbulojë koston e rritur të jetesës.

“Ushqimi është bërë shumë i shtrenjtë. Me të ardhura 250 euro nuk mund të mbuloj nevojat mujore bazë. Unë shes fidanë domateje dhe speca në treg për të fituar më shumë para”, thotë Ademi. Shkalla e varfërisë, mbi 45 për qind, është më e theksuar në familjet me tre e më shumë fëmijë dhe te prindërit e vetëm, rreth 41 për qind.

Kostoja e jetesës në prill të këtij viti ishte 10.5 për qind më e lartë se në prill të vitit të kaluar, ndërsa në të njëjtën kohë çmimet me pakicë u rritën me 11.1 për qind.

Gjatë muajit të kaluar më së shumti është rritur çmimi i gjalpit, me 20 për qind, i ndjekur nga perimet me gati 13 për qind. Që nga fillimi i vitit, rryma është rritur për 10 për qind dhe ngrohja në Shkup për 14 për qind.

Borxhi i qeverisë arriti një nivel rekord prej më shumë se 7.1 miliardë euro ose mbi 60 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Për këtë vit parashikohet një deficit buxhetor prej 550 milionë eurosh dhe boshllëku do të plotësohet me huamarrje të reja.

Çfarë duhet bërë për të dalë nga kriza ekonomike? Analisti ekonomik Arben Halili vlerëson se sfida më e madhe në vend është stabiliteti ekonomik dhe beson se do të duhet të ndërmerren masa që mund të jenë të dhimbshme.

“Nuk mund të flasim më për zhvillim ekonomik, por për mbijetesë ekonomike. Kjo do të thotë që investimet kapitale duhet të vazhdojnë për të ruajtur kontinuitetin e sektorit privat”, tha Halili.

Nga ana tjetër, sipas këtij analisti, duhen marrë masa konkrete që mund të jenë të dhimbshme, siç është shkarkimi i stafit të panevojshëm në administratën shtetërore. Fatkeqësisht, sipas tij, gjithnjë e më shumë të rinj po largohen nga vendi, pra më pak fuqi punëtore dhe kjo tashmë është sfida më e madhe me të cilën përballet sektori privat.

Opozita VMRO-DPMNE tha të mërkurën se inflacioni dyshifror ishte rezultat i paaftësisë së Aleancës Socialdemokrate (SDSM) në pushtet dhe kryeministrit Dimitar Kovaçevski.

“Çmimet e produkteve dhe shërbimeve bazë për vitin u rritën nga 10 në më shumë se 50 për qind. Në të njëjtën periudhë nuk ka pasur rritje të pagave dhe pensioneve. Populli po varfërohet. Me politika të këqija ekonomike, inflacioni mund të rritet vetëm”, paralajmëron VMRO-DPMNE.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar 26 masa dhe rekomandime, të ndara në dy kategori: e para është mbrojtja e standardit jetësor të qytetarëve dhe e dyta është likuiditeti i kompanive.

Qeveria ka kufizuar marzhet tregtare për çmimet e shitjes së ushqimeve bazë në tregtinë me shumicë dhe pakicë, masë kjo e vlefshme deri në fund të majit. Pensionistët dhe personat e pa favorizuar socialë, nga ana tjetër, marrin një mijë denarë (rreth 16 euro) ndihmë shtetërore në prill, maj dhe qershor për të përballuar rritjen e çmimeve. Paga minimale është ngritur në 18.000 denarë (rreth 290 euro).

Analisti ekonomik Halili, ndërkaq, thotë se çdo masë është e ndryshueshme. “Për shembull, masa e ngrirjes së çmimeve të produkteve ushqimore tregoi se kjo masë ishte më shumë në favor të konsumatorëve, por jo të kompanive. Për këtë arsye Qeveria shkoi në një masë tjetër, e cila ishte e mirë, por nuk mund të jetë afatgjatë sepse asnjë biznes nuk mund të mbijetojë me një marzh prej pesë apo dhjetë për qind, kur ka shpenzime të tjera dhe transport”, tha Halili.

Huazimet e reja

Ai beson se Qeveria për këtë arsye me shumë gjasa do t'i duhet t'u kthehet masave të mbështetjes së komunitetit të biznesit që ishin të vlefshme në krizën e koronës apo në disa masa të tjera.

Por ai shton se kjo do të thotë një huamarrje e re, e cila mund të mos jetë e justifikuar ekonomikisht, por strategjikisht e nevojshme. Sipas analistit ekonomik, Arben Halili, do të jetë e rëndësishme se sa do të jetë në gjendje qeveria të sigurojë burime financiare me një normë të pranueshme interesi.

Buxheti për këtë vit parashikohet të marrë 350 milionë euro hua nga shteti jashtë vendit. Informacionet jozyrtare thonë se Qeveria planifikon të marrë rreth 900 milionë euro hua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Këtë vit, shteti do të duhet të paguajë 188 milionë euro kredi dhe 164 milionë euro të tjera vetëm për interesa.

Në raportin e saj të rregullt gjysmë-vjetor ekonomik për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore vlerëson se rritja ekonomike e Maqedonisë Veriore do të ngadalësohet në 2.7 për qind në vitin 2022 dhe se GDP-ja reale do të arrijë nivelet para pandemisë deri në mes të vitit.

Banka Botërore pret që deficiti fiskal i Maqedonisë së Veriut të mbetet i lartë në vitin 2022, në përputhje me mbështetjen e vazhdueshme për ekonominë dhe familjet për të zbutur ndikimin e krizës energjetike dhe luftës në Ukrainë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat