Shaqiri: Reformat në arsim krijojnë kuadro produktive për nevojat e tregut

Maqedonia

Shaqiri: Reformat në arsim krijojnë kuadro produktive për nevojat e tregut

Më: 16 maj 2022 Në ora: 21:10
Jeton Shaqiri

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, sot në Ohër, duke i’u uruar mirëseardhje pjesëmarrësve në Konferencën ndërkombëtare me rastin e 75 vjetorit të Institutit Pedagogjik në Fakultetin Filozofik të Shkupit, dëgjoi pikëpamjet e të ftuarve për aktualitetin në arsim dhe sfidat që ka kaluar shkollimi në vendin tonë.

Çështjet arsimore përmes prizmit shkencor, sfidat dhe perspektivat që do të shfaqin qasje të reja në edukim, studim dhe zgjidhje të problemeve, ishin çështjet që u potencuan më tepër.

“Kjo Qeveri dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës i janë përgjigjur një reforme të thellë në sistemin arsimor, duke u nisur nga synimi strategjik për ofrimin e arsimit cilësor dhe të qasshëm për çdo fëmijë, një edukim që krijon një ekip të aftë për mendim logjik dhe kritik, bazuar në analiza dhe fakte. Shkolla duhet t’i mësojë fëmijët të përdorin njohuritë për zgjidhjen e problemeve, të jenë krijues dhe aktivë. Përmes procesit arsimor të formohen individë që respektojnë dhe ushqejnë të drejtat qytetare, tolerancën dhe diversitetin, të cilët do të jenë në gjendje t’i përgjigjen nevojave të tregut të punës në përputhje me zhvillimin e përshpejtuar teknologjik”, tha Shaqiri.

Ndryshimet në sistemin arsimor nisën që me bërjen e shkollimit nëntë vjeçare, bazuar në një Koncept të ri dhe për herë të parë vendosën standarde kombëtare për arritjet e nxënësve në fund të arsimit fillor.

Ministri vuri në dukje se nxënësi, mundësitë dhe afinitetet e tij janë në qendër të procesit arsimor dhe mësuesit i është dhënë autonomia dhe mundësia të vendosë vetë se si do të krijojë klasën.

Më shumë se 120 punime shkencore u bënë pjesë e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare, ku morën pjesë shumë pedagogë, mësues, profesorë universitar, studentë, rektorë, dekanë dhe kryetarë komunash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat