Kryeministrja serbe Bërnabiç në Shkup për thellimin e bashkëpunimit ekonomik

Maqedonia

Kryeministrja serbe Bërnabiç në Shkup për thellimin e bashkëpunimit ekonomik

Më: 18 maj 2022 Në ora: 18:33
Foto nga takimi

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiç dhe homologu i saj maqedonas Dimitar Kovaçevski biseduan në Shkup për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, për ruajtjen e qëndrueshmërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa në takim theksuan raportet e mira tradicionale midis dy vendeve fqinje.

Autoritetet qeveritare maqedonase kanë shprehur mirënjohje dhe falenderime për mbështetjen dhe ndihmën e Serbisë gjatë krizës së koronavirusit, kur ky vend dërgoi vaksina dhe ndihma të tjera mjekësore.

Serbia po ashtu së fundmi e hoqi ndalesën për eksportin e vajit ushqimor dhe drithërave për Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Kovaçevski e falenderoi zonjën Bërnabiç edhe për këtë veprim. Maqedonia e Veriut një pjesë të madhe të furnizimeve me drithëra dhe vajin ushqimor e merr nga Serbia.

Homologët Bërnabiç dhe Kovaçevski kanë folur edhe për shtimin e komunikimit dhe partneritetit në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”. Të dy kryeministrat thanë se nisma duhet të vazhdojë si një platformë e bashkëpunimit rajonal në të gjitha nivelet, ndërsa theksuan se ftesa është e hapur për vendet tjera të rajonit që të marrin pjesë në takimin e pritshëm, i cili do të mbahet në Ohër.

Serbia për Maqedoninë e Veriut paraqet partnerin e tretë më të madh tregtar. Shkëmbimi i përgjithshëm tregtar midis tyre kap shifrën prej një miliard dollarësh dhe kjo rritje është shënuar gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19.

Kryeministrat e dy vendeve fqinje kanë folur edhe për synimet lidhur me integrimin evropian të vendeve të tyre, duke theksuar se fillimi i bisedimeve midis BE-së dhe Shkupit e Tiranës do të shihej si një shenjë pozitive në të gjithë rajonin në aspektin e rëndësisë gjeostrategjike dhe të qëndrueshmërisë.

Kryeministrat Bërnabiç dhe Kovaçevski nuk thanë nëse kanë biseduar mbi sanksionet kundër Rusisë dhe agresionin rus ndaj Ukrainës.

Vizita e kryeministres serbe ndodh në një kohë kur kishat ortodokse të dy vendeve duket se po afrohen pas një izolimi prej disa dekadash. Por, ndërkohë që kisha serbe ka shprehur gatishmëri për t’i dhënë një autonomi të gjerë kishës maqedonase, e cila është nën juridiksionin e saj, kjo e fundit kërkon njohjen e autoqefalisë. Kryeministrja Bërnabiç u shpreh se nuk mund të fliste për çështje fetare, ndërsa u shpreh me tone positive për hapjen e klerikëve serbë mbi përpjekjet për zgjidhjen e çështjeve të cilat do t’i konrtibuonin qëndrueshmërisë rajonale dhe mirëkuptimit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat