Pas deklaratës së OBRM-PDUKM-së se “LSDM është bërë si agjencion turistik”, vjen reagimi nga partia në pushtet

Maqedonia

Pas deklaratës së OBRM-PDUKM-së se “LSDM është bërë si agjencion turistik”, vjen reagimi nga partia në pushtet

Më: 24 maj 2022 Në ora: 19:34
Foto ilustrim

Zëdhënësi i OBRM-PDUKM-së, Dimçe Arsovski sot përsëriti akuzën se qeveria e LSDM-së e udhëhequr nga Kovaçevski është shndërruar në agjenci turistike, duke theksuar se “punonjësit udhëtojnë në kurriz dhe në emër të shtetit, duke shpenzuar buxhetin e qytetarëve”.

Sipas Arsovskit, në seancën e përbashkët që do të mbahej në muajin janar në Sofje ndërmjet dy qeverive, dhe seancën e katërt të Qeverisë sonë në Republikën e Maqedonisë, është marrë vendim që të sigurohet pa pagesë akomodimi, shpenzimet e udhëtimit dhe vetëm testet PCR për gazetarët dhe nuk u soll vendim për gjithë punonjësit që kanë udhëtuar drejt Sofjes.

“Nuk po e kuptojmë pse duhet të shkojnë edhe 6 persona shtesë në një seancë të përbashkët mes dy qeverive dhe në krye të kësaj të tentojnë t’i futin këto emra tek e ashtuquajtura si listat për gazetarë. Është padyshim një ekskursion dhe një turne ku ata duhej të shihnin se si duket Sofja. Nuk ka opsion tjetër”, akuzoi Arsovski dhe shtoi se shpenzimi i parave të qytetarëve për luks është shprehi që nuk ndalet tek LSDM-ja edhe në mes të krizës ekonomike, ku thonë se do të shkurtojnë shpenzimet joproduktive.

LSDM sot iu përgjigj këtyre akuzave të opozitës OBRM-PDUKM:

“OBRM-PDUKM-ja përveç bllokimit të ligjeve të rëndësishme për qytetarët, vazhdimisht po përhap lajme të rreme dhe dezinformata. E fundit është gënjeshtra se gjashtë punonjës të Shërbimit të Çështjeve të Përgjithshme janë paraqitur si gazetarë gjatë një vizite në Bullgari. Të punësuarit morën pjesë në vizitën në Bullgari për kryerjen e detyrave të punës, organizimit dhe mbështetjes së aktiviteteve të delegacionit tonë, ku ishin edhe përfaqësues të mediave, në seancën e përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës. të Bullgarisë”, thanë nga LSDM.

Ata thanë se asnjë trillim, asnjë gënjeshtër nuk do ta mbulojë dëmin që OBRM-PDUKM po ua bën qytetarëve me bllokada.

“Kjo parti e udhëhequr nga Hristijan Mickoski di vetëm të përhapë lajme të rreme dhe të bllokojë, nuk di dhe nuk dëshiron të bëjë asgjë në interes të qytetarëve”, përfundon reagimi nga LSDM.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat