Gjyqtarët dhe Prokurorët do të marrin paga më të larta

Maqedonia

Gjyqtarët dhe Prokurorët do të marrin paga më të larta

Më: 25 maj 2022 Në ora: 19:02
Foto ilustrim

Qeveria e Maqedonisë ka pranuar sot ndryshimet në Ligjin për pagat e prokurorëve publikë.

Dispozitat e propozuara, sipas shërbimit për shtyp të qeverisë, rregullojnë koeficientin për përcaktimin e pagës së prokurorëve publikë dhe përpjekjet e përgjithshme për përmirësimin e burimeve materiale dhe financiare në sistemin e drejtësisë, duke përfshirë pagat dhe tarifat e tjera të prokurorëve publikë.

Qëllimi i ndryshimeve ligjore të propozuara është ngritja e sistemit të pagave të prokurorëve publikë, në përputhje me rëndësinë dhe reputacionin e funksionit që ata kryejnë, peshën e punës dhe përgjegjësinë e tyre.

Në këtë seancë Qeveria ka përcaktuar ndryshimet e Ligjit të pagave për shërbimin gjyqësor.

“Qëllimi kryesor i Projektligjit është të arrihet barazia e punonjësve në sektorin privat dhe publik, shërbimit gjyqësor si pjesë e tij, me të ardhurat më të ulëta duke vendosur të njëjtën masë të pagës minimale ligjore dhe harmonizimin gradual të pagave të tjera për gjykatës, punonjësve në të gjitha nivelet, si dhe sigurimin e vazhdimësisë së ndryshimeve të pagave në administratën gjyqësore në raport me pagën minimale në nivel kombëtar, si synim afatgjatë. Njëkohësisht, në kuadër të harmonizimit të Ligjit për shërbime gjyqësore me Ligjin për pagën minimale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pagat e punëtorëve në shërbimin gjyqësor rriten për 15%”, thuhet në komunikatë.

Qeveria poashtu ka miratuar sot tekstin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Publike, me të cilin synohet vendosja e së njëjtës masë të pagës minimale ligjore dhe harmonizimi gradual i pagave të tjera të zyrtarëve të prokurorisë publike në të gjitha nivelet.

Të gjitha këto amendamente të Ligjit për pagat e prokurorëve publikë, punëtorëve për shërbime gjyqësore, Ligjit për shërbimin e prokurorisë publike dhe Ligjit për pagat e anëtarëve të Këshillit të prokurorëve publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut do t’i dorëzohen Kuvendit për miratim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat