Kovaçevski: I lumtur që u arrit marrëveshje për pagat në arsim por duhet të punojmë për performancë më të mirë arsimore

Maqedonia

Kovaçevski: I lumtur që u arrit marrëveshje për pagat në arsim por duhet të punojmë për performancë më të mirë arsimore

Më: 26 maj 2022 Në ora: 17:26
Dimitar Kovaçevski

“Doli se greva praktikisht nuk ishte zgjidhje, por dialogu është zgjidhje”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në seancën e pyetjeve parlamentare, për rezultatet e bisedimeve me Sindikatën për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, për pagat në arsim.

“Në sektorin e arsimit është arritur një rritje historike e pagave prej 15 për qind dhe së bashku me rritjet nga vitet e kaluara, të cilat ishin 21 për qind, kemi rritje të pagave mbi 36 për qind në arsim. Në histori nuk ka pasur një rritje të tillë të pagave të arsimtarëve dhe edukatorëve”, tha kryeministri Kovaçevski.

Ai vuri në dukje krahasimin kur në 10 vjet pagat u rritën vetëm me 4 për qind ndërsa sot ka një rritje prej 36 për qind sepse në këto 5 vite dialogohet me sindikatat.

“Ka pasur një sërë ndikimesh që thonin se SASHK-u duhet të hyjë në grevë dhe ne nuk i kemi ndalur në asnjë moment. Kam thënë se koha kur u miratua ligji për zëvendësimin e mësuesve zëvendësues, trajtimi i arsimtarëve dhe punëtorëve arsimor gjatë grevës ishte ekskluzivisht me presione partiake dhe politike”, tha kryeministri Kovaçevski.

Kryeministri Kovaçevski shtoi se “vendi ynë ka institucione dhe ka zgjidhje ligjore që mundësojnë arritjen e marrëveshjes pa grevë, dhe kjo Qeveri ka dëshmuar se mund të përdor zgjidhje ligjore që arrijnë vendime të pranueshme nga të gjitha palët, sepse ka ligje me të cilat rregullohen të drejtat e punëtorëve.

“Edhe një herë dua ta përshëndes marrëveshjen që është arritur, e di që ministri i Arsimit dhe SASHK-u duhet ta nënshkruajnë marrëveshjen këto ditë dhe kështu të fillojë zbatimi. Normalisht me buxhetin plotësues janë paraparë mjetet për atë që është dakorduar dhe mbetet para nesh që të dakordohemi për metodologjinë e rritjes së pagave në sektorin publik, përfshirë edhe atë të arsimit”, tha kryeministri Kovaçevski.

Ai vuri në dukje rezultatet e testit të PISA-s dhe një sërë të dhënash të tjera krahasuese me vendet e tjera, të cilat tregojnë se ka shumë punë për tu bërë.

“Të gjithë duhet të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në rritjen e performancës së arsimit tonë, sepse nëse një vend dëshiron të ecë përpara, duhet të shkojë me të rinj të arsimuar që do të mësojnë gjëra të reja”, tha kryeministri Kovaçevski në seancën e pyetjeve parlamentare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat