OBRM-PDUKM: LSDM-ja e Kovaçevskit të ketë ndërgjegje dhe të votojë për interpelancën e Talat Xhaferit

Maqedonia

OBRM-PDUKM: LSDM-ja e Kovaçevskit të ketë ndërgjegje dhe të votojë për interpelancën e Talat Xhaferit

Më: 29 maj 2022 Në ora: 10:56
OBRM-PDUKM

OBRM-PDUKM-ja dhe Koalicioni për Rindërtim të Maqedonisë do të paraqesin interpelancë për kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, për shkak të sjelljes së cilësuar nga opozita maqedonase si të pahijshme, shkeljeve të Rregullores së Kuvendit, shkeljes së Kushtetutës së Maqedonisë dhe ofendimeve të tij ndaj punonjësve të Kuvendit.

“Ftojmë të gjithë deputetët në Kuvendin e Maqedonisë që ta përkrahin interpelancën për Talat Xhaferin. Kovaçevski duhet të dalë nga prehri i deputetëve të BDI-së dhe LSDM-së për të mbështetur interpelancën e Talat Xhaferit. Autokrati Xhaferi tregoi se nuk është i denjë të jetë kryetar i Kuvendit për shkak të primitivizmit të tij, shkeljes së Rregullores dhe Kushtetutës dhe sjelljeve jodemokratike. Xhaferi ka fyer në mënyrë vulgare punonjësit e Kuvendit. Xhaferi kontaktoi një politikan çeçen, i cili përbën një rrezik sigurie për vendin për shkak të afërsisë së tij me Kremlinin. Xhaferi mbylli deputetët në Kuvend. Çfarë duhet të bëjë tjetër Xhaferi që Kovaçevski të inkurajohet dhe si lider i LSDM-së të kërkojë dorëheqjen e tij?”, thanë nga OBRM-PDUKM.

OBRM-PDUKM hodhi dhe akuza të tjera në drejtim të partive në pushtet.

“Ekziston dyshimi i bazuar se edhe Kovaçevski edhe BDI po provokojnë qëllimisht një skenar në Kuvend që duhet të jetë defokus nga problemet reale, paaftësia dhe krimi i pushtetit. Dorëheqja e Xhaferit është akt i bazuar dhe logjik pas gjithë sjelljes së tij dhe presim që LSDM-ja e Kovaçevskit të ketë së paku një gram ndërgjegje”, përfundon reagimi i OBRM-PDUKM-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat