BDI: Stop protestave të dhunshme anti-europiane nga forcat pro-ruse

Maqedonia

BDI: Stop protestave të dhunshme anti-europiane nga forcat pro-ruse

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 16:43
Foto ilustrim

Dhuna dhe imazhet e mbrëmshme, duke sulmuar institucione dhe forcat e rendit, tregojnë qartë se organizatorët dhe mbështetësit e protestave të dhunshme vazhdojnë të kultivojnë qëllime destruktive anti-europiane, duke i shërbyer kështu politikave pro-ruse në vend për destabilizim të vendit dhe rajonit, thuhet në njoftimin e BDI.

“Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër tentativat për të destabilizuar vendin, ndarjen mes qytetarëve me qëllim të krijimit të tensioneve të reja, andaj kërkon urgjentisht nga të gjithë aktorët politikë, qytetarët dhe gjithë shoqëria civile që të ndalohen dhe dënohen urgjentisht protestat e dhunshme anti-europiane.

Pikërisht në periudhën kur vendi është në rrumbullakësim të rrugës për të arritur qëllimin tre dekadësh, OBRM-PDUKM dhe “E Majta” duhet të ulen dhe të diskutojnë mbi këto procese qëllimmira dhe jo të organizojnë protesta të dhunshme, të shpërndajnë lajme të rrejshme dhe të mendojnë skenarë të errët për të frikësuar qytetarët.

Pas shumë vitesh pritje, përfundimisht e kemi mundësinë që e kemi merituar për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe para nesh kemi propozimin që është në pajtim me Rezolutën e Kuvendit tonë dhe garanton identitetin, gjuhën dhe kulturën e bashkëqytetarëve tanë maqedonas”, thonë nga atje.

Bashkimi Demokratik për Integrim, shtojnë nga atje, bashkë me qytetarët edhe njëherë siguron se nuk do të lejojë që forcat me bindje pro-ruse të ushtrojnë dhunë ndaj institucioneve dhe të cenojnë të ardhmen e vendit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat