Formohet grupi punues në Kuvend, deputetët do të debatojnë për vërejtjet rreth propozimit francez

Maqedonia

Formohet grupi punues në Kuvend, deputetët do të debatojnë për vërejtjet rreth propozimit francez

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 19:03
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut

Grupi i punës i cili do të përbëhet nga dy deputetë të LSDM-së dhe OBRM-PDUKM-së, një nga BDI-ja, një nga Aleanca për Shqiptarët, dhe një deputet nga partitë më të vogla politike prej nesër fillon me debatin lidhur me vërejtjet e tyre për propozimin francez, pas çka pritet të dalin me përfundime. Gjatë takimeve të tij, kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel u takua edhe me kryeparlamentarin Talat Xhaferi bashkë me koordinatorët e grupeve parlamentare. Nikolla Micevski nga radhët e OBRM-PDUKM-së shpjegoi se cilat do të jenë kërkesat e tyre:

“Të fshihet Neni 11 dhe Neni 14 nga Protokolli, e pastaj në kornizën negociuese ku do të kemi parime mbi të cilat udhëhiqen negociatat, të fshihen nenet për rishikimet vjetore dhe pjesa që i referohet Protokollit të Konferencës së parë Ndërqeveritare. Duke pasur parasysh se vendoset në tavolinë për debat dhe ka dëshirë që të bisedohet, është evidente se ka mundësi që të ketë ndryshime të caktuara sa u përket këtyre situatave”, deklaroi Nikolla Micevski, Koordinator i OBRM-PDUKM-së.

Nga LSDM-ja pohojnë se nesër do të ketë takim mes koordinatorëve të grupeve parlamentare dhe përfaqësuesve të partive në Kuvend, ku do të debatohet për përfundimet që duhet të shqyrtohen dhe miratohen në shtëpinë ligjvënëse.

“Këto bisedime nuk kanë të bëjnë me përmbajtjen e kornizës negociuese. Rikujtojmë, Hristijan Mickoski dhe OBRM-PDUKM-ja që moti publikisht refuzuan të marrin pjesë në grupet pune, edhe pse kjo u ishte ofruar. Presim përgjegjësi nga të gjitha partitë politike.“- thonë nga LSDM.

Paraprakisht, Charles Michel në Qeveri u takua edhe me partitë më të vogla: Lidhjen Demokratike, PLD-në, PRSD-në (Partia e Re Socialdemokrate) dhe RDM-në. Shumica prej tyre, këto ditë shprehën mospajtimin e tyre për propozimin francez. Megjithatë, në takimin që zgjati një orë e gjysmë, ata i porositën Mishelit se do të ishte mirë që në këtë proces të kyçet edhe Parlamenti përmes një grupi pune, i cili do të jepte konkluzione të veta. Kreu i LD-së, Pavle Trajanov, thotë se ato konkluzione do të ishin të obligueshme për Qeverinë, duke thënë se ende ka hapësirë për korrigjim të propozimit francez.

“I shpreha rezervat e mia rreth asaj se çështjet dypalëshe të imponuara nga Bullgaria nuk duhet të jenë pjesë e kornizës negociuese, kurse të gjitha marrëveshjet e tjera, duke përfshirë edhe Protokollin, duhet të jenë detyrim në bazë reciproke. Ky është mendimi im, sepse deri pardje pohohej se kjo punë ka mbaruar – ose merre ose lëre, por procesi i harmonizimit të Protokollit vazhdoi. Kjo do të thotë se sërish do të mblidhet Këshilli i BE-së dhe me shumë gjasa atëherë do të merret një vendim përfundimtar. Domethënë ka hapësirë për modifikime dhe korrigjime”, deklaroi Pavle Trajanov, Kryetar i Lidhjes Demokratike.

Takimi i parë i grupit pune pritet të mbahet nesër.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat