ESHR: Pjesëmarrësit në fushatën për zgjedhjet në Tetovë dhe Mavrovë të dorëzojnë raport për donacionet

Maqedonia

ESHR: Pjesëmarrësit në fushatën për zgjedhjet në Tetovë dhe Mavrovë të dorëzojnë raport për donacionet

Më: 5 gusht 2022 Në ora: 19:08
Foto ilustrim

Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) përmes një kumtese dërguar mediave i njoftoi të gjithë pjesëmarrësit në fushatën për zgjedhjen e anëtarëve në Këshillin e Komunës së Tetovës dhe për kryetar të komunave Mavrovë dhe Rostushë dhe Qendra Zhupë se janë të detyruar që në ditën e 11-të të fushatës zgjedhore (10 gusht, deri në mesnatë), të dorëzojnë raport për donacionet e pranuara në llogaritë e tyre.

Për këtë qëllim, siç bëjnë të ditur, Enti Shtetëror i Revizionit më 10 gusht do të sigurojë punë të rregullt të Arkivit për pranim të raporteve deri në mesnatë, ndërsa njëkohësisht do të mundësojë edhe pranim elektronik në adresën [email protected].

“Theksojmë se raporti me formular për donacionet e marra në llogarinë e transaksionit për financimin e fushatës zgjedhore kërkohet të hartohet nga pjesëmarrësi në fushatën zgjedhore në formularin e përcaktuar nga ministri i financave, gjegjësisht sipas rregullit për formularin e raportit me specifikimin e shpenzimeve për të ardhurat dhe shpenzimet në llogaritë e transaksionit për fushatë zgjedhore dhe raport për donacionet e marra në llogari transaksioni për financimin e fushatës zgjedhore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut ” nr. 80/2021 dhe 218/2021). Pjesë përbërëse e kësaj rregulloreje është edhe udhëzimi se si të plotësohet formulari i raportit. Subjektet politike janë të obliguara që këto raporte t’i publikojnë në ueb-faqet e tyre”, informojnë nga Enti Shtetëror i Revizionit.

Nga Enti Shtetëror i Revizionit theksojnë se nëse nuk zbatohen udhëzimet e dhëna, kanë kompetencë që Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve t’i paraqesin propozim për marrjen e vendimit për ndalimin (pezullimin) e pagesës së kompensimit për shpenzimet e financimit fushatës zgjedhore. Është paraparë edhe gjobë prej 9.000 euro në kundërvlerë denari, e cila do t’i shqiptohet për kundërvajtje partisë politike, koalicionit apo kandidatit të pavarur nëse në afatin e paraparë nuk paraqet raport për financimin e fushatës zgjedhore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat