Për shtatë muaj, 287 vjedhje të rënda në Pollog

Maqedonia

Për shtatë muaj, 287 vjedhje të rënda në Pollog

Më: 11 gusht 2022 Në ora: 20:39
Foto ilustrim

Hajnat edhe këtë vit kanë qenë mjaft aktiv në rajonin e Pollogut. Ata kanë vjedhur gjësende me vlerë nëpër shtëpi, objekte ndihmëse, vikend shtëpiza, vetura dhe vende tjera, duke shfrytëzuar në këtë mënyrë pakujdesinë e pronarëve. Poashtu, pronarëve të automjeteve u apelohet që të jenë të kujdesshëm kur i parkojnë veturat e tyre sidomos të shmangin vendet më pak të frekuentuara.

“Shumica e vjedhjeve kanë ndodhur në shtëpi, banesa, dyqane, në automjete të parkuara dhe që nuk kanë qenë të mbyllura. Prandaj apelohet tek qytetarët që kur të parkojnë veturat e tyre të kenë kujdes që të mos i lënë të pambyllura, sepse çdo pakujdesi qoftë më e vogël shfrytëzohet nga hajnat, të cilët vjedhin në makina gjësende me vlerë, si Llap Top, orë dore të shtrenjtë, telefon celularë, para të gatshme e kështu me radhë”, thotë Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Në ndërkohë, problem në vete është se gjatë periudhës së verës shumë qytetarë mbyllin shtëpitë e tyre dhe shkojnë në pushime apo në ahengje familjare. Madje shumica publikojnë edhe fotografi të vendndodhjes së tyre dhe në këtë formë e bëjnë më lehtë veprimin e hajnave, të cilët shfrytëzojnë çdo mundësi që u jepet. “Hajnat shfrytëzojnë çdo rast që u jepet mundësia. Pra, gjithashtu shfrytëzojnë edhe rastet kur jemi në mes të sezonit, ku shumica e qytetarëve shfrytëzojnë pushimet vjetore dhe dalin jashtë shtetit, por poashtu kemi edhe shumë ahengje familjare, ku e tërë familja shkojnë në këta ahengje prandaj apelojmë tek këta qytetarë që në momentin kur nuk gjenden në shtëpi të mos publikojnë fotografi në rrjetet sociale dhe në këtë mënyrë do të lehtësonin punën e hajnave. Kurse, mërgimtarëve u apelojmë që kur kthehet në vendet ku punojnë në shtëpitë e tyre në vendlindje të mos lënë gjësende me vlerë dhe të vendosin kamera sigurie ose alarm”, apelon Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovë.

Ndryshe sipas statistikave të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, brenda shtatë muajve të këtij viti janë regjistruar 274 vjedhje, prej tyre 178 vjedhje janë të rënda ndërsa 96 janë vjedhje. Tek vjedhjet e rënda janë zbardhur 46, ku janë përfshirë 63 autorë, ndërsa janë ngritur 34 kallëzime penale. Tek kategoria e vjedhjeve të këtij viti, janë zbardhur 43 vjedhje, ndërsa janë përfshirë 50 autorë, kurse janë ngritur 37 kallëzime penale. Vitin e kaluar, brenda 12 muajve janë regjistruar 287 vjedhje të rënda. Sipas policisë, tek vjedhjet e rënda janë zbardhur 95, ku janë përfshirë 98 autorë ndërsa janë ngritur 63 kallëzime penale. Ndërkohë, gjatë vitit 2022 në kategorinë e vjedhjeve janë regjistruar 157 vjedhje, ku janë zbardhur 42 vjedhje, të kryera nga 77 autorë dhe janë ngritur 48 kallëzime penale. Nga policia e Tetovës thonë se punojnë në zbardhjen e vjedhjeve dhe ndaj autorëve do të ketë edhe padi adekuate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat