Në Maqedoni, klasat në Dibër pa defektolog

Maqedonia

Në Maqedoni, klasat në Dibër pa defektolog

Më: 25 shtator 2022 Në ora: 12:26
Foto ilustrim

Edhe ky vit i ri shkollor 2022 -2023 i gjen shkollat e Dibrës pa defektolog dhe logoped. Edhe pse nevoja për këto kuadro është e madhe, në institucionet arsimore ata mungojnë. Drejtoritë e shkollave që veprojnë në Komunën e Dibrës disa herë kanë bërë kërkesë për punësimin e defektologëve dhe logopedëve, por deri më sot – nuk ka as edhe një përgjigje pozitive nga Ministria e Arsimit. Në bisedën që patëm me drejtorin e shkollës më të madhe në Dibër – shkollës “Penestia”, Ajet Mullarexha, u informuam se ky institucion arsimor ka nevojë të kamotshme për punësimin si të një defektologu, ashtu edhe të logopedit.

“Kemi bërë kërkesë tek Ministria e Arsimit për nevojën që kemi në shkollën tonë për defektolog dhe logoped, por përgjigja disa here na ka ardhur negative pasi nuk ka lejuar Ministria e Financave”, thotë drejtori i shkollës, Ajet Mullarexha. Mullarexha shton se mungesa e defektologëve ndikon negativisht në mirëqenien e nxënësve me nevoja të veçanta, krijon vështirësi për tejkalimin e barrierave në procesin edukativo-arsimor që çon deri në diskriminim, bullizëm, keqpërdorim, izolim dhe humbje të vetëbesimit, që ndikojnë drejtpërsëdrejti në zhvillimin psikik të fëmijës me nevoja të veçanta.

I njëjti problem është prezent edhe në shkollën nëntëvjeçare “Said Najdeni”, ashtu sikurse edhe në shkollën fillore në fshatin Kosovrast të Poshtëm “Riste Ristevski”. Drejtoritë e shkollave në fjalë thonë se edhe tek këto shkolla – mungesa e defektologëve dhe logopedëve është nevojë urgjente, pasi mësimin e ndjekin edhe fëmijë me aftësi të kufizuara.

Drejtorët shtojnë se mungesa e defektologut ndikon në mos informimin e arsimtarëve për llojin e çrregullimit apo diagnozës që ka nxënësi me nevoja të veçanta, si dhe mënyrën se si ata duhet të ndihmohen, trajtohen dhe të pranohen nga nxënësit e tjerë në klasë. Edhe shoqatat që mbrojnë interesat e fëmijëve me aftësi të veçanta, disa herë kanë reaguar për mungesë të kuadrit adekuat për këtë kategori për në shkollat e Dibrës. Bekim Ame nga shoqata “Porosia” disa herë ka reaguar se edhe këta fëmijë duhet të mësojnë ashtu siç kanë nevojë.

“Kemi apeluar tek autoritetet kompetente që në një të ardhme të afërt, të ndërmarrin masa urgjente për zgjidhjen e kësaj çështje, që është një problematik në mbarë vendin, e veçanërisht në qytetin e Dibrës ku ka një numër të konsiderueshëm të fëmijëve me nevoja të veçanta”, thotë Ame, ndërsa shton se duke mos i ofruar kësaj kategorie të fëmijëve kushtet që domosdoshmërish u nevojiten për edukimin e tyre, verbërisht po shkelen të drejtat themelore të tyre dhe nuk respektohet gjithëpërfshirja e tyre në institucionet arsimore, konform ligjit për arsim fillor.

Në ndërkohë, në mungesë të kuadrit profesional të defektologut dhe logopedit, disa prindër që janë edhe materialisht të fuqishëm, privatisht po angazhojnë defektolog dhe logoped për fëmijët e tyre. Por ka edhe prindër që nuk ka mundësi të sigurojnë privatisht defektolog apo logoped, pasi të ardhurat e tyre nuk janë të mjaftueshme për ti përballuar shpenzimet që duhet për orët adekuate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat