ASH: Valdet Xhaferi i BDI-së e zvarrit të vërtetën për Llaskarcën

Maqedonia

ASH: Valdet Xhaferi i BDI-së e zvarrit të vërtetën për Llaskarcën

Më: 25 shtator 2022 Në ora: 15:07
Foto ilustrim

Aleanca për Shqiptarët sot e ka akuzuar Valdet Xhaferin e BDI-së për zvarritje të rastit të “Llaskarcës”.

Nga kjo parti thonë se tragjedia në Llaskarcë që mori jetën e 16 personave dhe mbi 30 mbetën të lënduar, shumica dërmuese nga Gostivari, nuk po merr epilog gjyqësor dhe familjarëve u fshehet e vërteta për këtë rast.

“Por edhe përkundër tentimeve për të zvarritur drejtësinë, një pjesë e të vërtetës po del vetëvetiu në shesh, ndërsa rrethi i atyre që mund të kenë përgjegjësi po zgjerohet gjithnjë e më shumë. Së fundmi po mësojmë një të vërtetë të madhe dhe shumë të hidhur për banorët e Gostivarit. Sipas një hulumtimi të organizatës “Koalicioni për gjykim të drejtë”, rezulton se këtë rast dhe të vërtetën po e zvarrit me vite partia shqiptare në pushtet, BDI, përmes një funksionari të saj që vjen nga qyteti i Gostivarit”

 

“Pas ekspertizës së parë që ishte bërë për këtë rast, Gjykata në vend që të jepte verdiktin final, më 11 nëntor 2021 dha urdhër për super ekspertizë. E njëjta u ishte kërkuar fakulteteve të makinerisë dhe teknike në vend dhe që të gjitha për çudi kanë refuzuar duke thënë herë se s’kanë ekspertë e herë se s’kanë çfarë të ofrojnë më shumë se ekspertiza e parë. Në fund lënda përfundon te Byroja për ekspertizë ligjore dhe atje po mbahet tanimë 315 ditë”.

“Për ironi të fatit, drejtor i Byrosë për ekspertizë ligjore është Valdet Xhaferi, Kryetar i degës së BDI-së në Gostivar. Pas kësaj zvarritje kaq të gjatë, kuadrot e këtilla do të duhej të dënohen e suspendohen nga posti, por në këtë rast Valdet Xhaferi u shpërblye edhe me një post tjetër, atë të kryetarit të degës së BDI-së. A thua kujt i shërbeu aq mirë zvarritja e ekspertizës që ky person të meritojë kaq avansim e shpërblime!? Kush qëndron prapa kësaj tragjedie që nuk lejon dënimin e fajtorëve të vërtetë dhe frikësohet që ata mos të japin emra të tjerë?”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat