Kovaçevski: Nuk presim fluks refugjatësh nga Rusia

Maqedonia

Kovaçevski: Nuk presim fluks refugjatësh nga Rusia

Më: 27 shtator 2022 Në ora: 13:26
Dimitar Kovaçevski

Kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski tha sot se nuk pritet një valë refugjatësh nga Rusia, duke qenë se, siç tha ai, ne nuk kemi lidhje me Moskën, siç kanë disa vende të tjera.

I pyetur se nëse ka refugjatë rusë, a do të kenë të njëjtin trajtim si ukrainasit, ai tha se ukrainasit trajtohen në përputhje me organizatat ndërkombëtare në të cilat jemi anëtarë për kujdesin e refugjatëve të luftës.

“Ne kemi marrë të gjitha vendimet e nevojshme në lidhje me kujdesin e përhershëm apo kujdesin në tranzit, sepse disa vijnë dhe më pas shkojnë në vende të tjera. Ky është trajtimi i tyre dhe pyetja juaj i drejtohet krejtësisht diçkaje tjetër. Ata shkojnë në vendet ku kanë fluturime direkte. Në vendin tonë nuk ka fluturime direkte”, u përgjigj Kovaçevski.

Kryeministri i pyetur nëse po mendon të heqë vizat për qytetarët e Rusisë, thotë se për momentin nuk ka një propozim të tillë.

Ditët e fundit, mijëra qytetarë rusë janë larguar nga vendi në përpjekje për të shmangur mobilizimin, pasi presidenti rus Vladimir Putin javën e kaluar urdhëroi mobilizimin e pjesshëm të 300,000 rezervistëve.

Rusët zakonisht shkojnë me makina në kufijtë me Gjeorgjinë dhe Mongolinë, ku presin 48 orë në kufi, sepse çmimi i biletave të avionit, për ato që janë ende në dispozicion, është rritur ndjeshëm dhe ka arritur në disa mijëra euro.

Ndër vendet në të cilat shtetasit rusë lejohen të hyjnë pa vizë janë Serbia, Turqia, Gjeorgjia dhe Armenia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat