Nesër votohet për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Unionin për Mesdheun

Maqedonia

Nesër votohet për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Unionin për Mesdheun

Më: 23 nëntor 2022 Në ora: 17:27
Foto ilustrim

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, me ftesë të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jordanisë, Ajman Safadi, Ministrit për Punë të Jashtme, Bashkim Evropian dhe Bashkëpunim të Mbretërisë së Spanjës, Hose Manuel Albares dhe Përfaqësuesit të Lartë dhe Nënkryetarit të Komisionit Evropian, Joseph Borrell, sot dhe nesër do të merr pjesë në Forumin e Shtatë Rajonal të Unionit për Mesdheun, i cili do të mbahet në Barcelonë, Spanjë.

Në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të 42 vendeve anëtare të Unionit për Mesdheun, ministri Osmani do të merr pjesë në aktin solemn të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Unionin për Mesdheun dhe më pas do të merr pjesë aktive si përfaqësues i shtetit të ri anëtar.

Në margjinat e Forumit, Osmani do të takohet me nikoqirin e tij, Ministrin për Punë të Jashtme, Bashkim Evropian dhe Bashkëpunim të Mbretërisë së Spanjës, Hose Manuel Albares, si dhe do të realizojë edhe takime të tjera bilaterale me kolegët e tij nga shtetet anëtare të Unionit për Mesdheun.

Unioni për Mesdheun, i formuar në Samitin e parë dhe inaugurues të Presidentëve të Shteteve Euro-Mesdhetare, të mbajtur në Paris më 13 korrik 2008, paraqet kornizë për avancimin e marrëdhënieve multilaterale ndërmjet BE-së dhe vendeve mesdhetare të cilat nuk janë pjesë e BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat