Skandali me Onishchenko, Dimovski nuk do të bëhet ambasador

Maqedonia

Skandali me Onishchenko, Dimovski nuk do të bëhet ambasador

Më: 2 mars 2023 Në ora: 18:20
Foto ilustrim

Po bëhet gjithnjë e më e qartë se Viktor Dimovski nuk do shkojë në Paris si ambasador. Kandidatura e tij për këtë pozitë u vu në pikëpyetje pasi Agjencia e Sigurisë Kombëtare i aprovoi shtetësinë biznesmenit kontrovers pro-rus Oleksandër Onishçenko, ndërsa Dimovski ishte drejtor i institucionit. Kryetari i Komisionit parlamentar për politikë të jashtme, Antonio Milloshoski, pret që kandidati i ardhshëm për në Francë të jetë diplomat i karrierës.

“Ajo që kemi si informacion jozyrtar nga MPJ është se presidenti Pendarovski dhe ministri i Punëve të Jashtme tashmë janë marrë vesh që Viktor Dimovski të mos jetë ambasador i Maqedonisë në Paris. Por nëse ata kanë marrë vendim se kush duhet të jetë ambasadori i ardhshëm, ne nuk kemi informacion për këtë”, deklaroi Antonio Milloshoski – kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme.

Në komisionin parlamentar janë dëgjuar ish-ministri i vetëqeverisjes lokale, Goran Milevski, i cili shkon si ambasador në Lubjanë dhe ish-ministrin pa portofol Edmond Ademi, i cili do të kryejë postin e ambasadorit në Spanjë, shteti i radhës që do ta ketë presidencën e Bashkimit Evropian.

“Ajo që mungon është mbajtja e një seance të përbashkët mes dy qeverive, siç bën Qeveria e Maqedonisë së Veriut me vendet fqinje. Mendoj se me Slloveninë do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme të bëjmë një seancë të tillë për kontributin që ka Sllovenia në mbështetjen dhe lobimin tonë në nivel ndërkombëtar”, tha Goran Milevski – kandidat për ambasador në Slloveni.

“Nëse ju si ambasador vazhdoni edhe në dy vitet e ardhshme të keni vetëm një diplomat dhe një sekretare, atëherë nuk besoj se një pjesë e këtyre planeve tuaja të mëdha ambicioze do të realizohen”, u shpreh Antonio Milloshoski – deputet.

“Për vendin tonë, presidenca e Spanjës me Këshillin e BE-së do të jetë kyçe në gjysmën e dytë të vitit, kur pritet të përfundojë skriningu dhe të hapen kllasterët e parë në negociatat e anëtarësimit në BE. Gjatë presidencës spanjolle me BE-në janë planifikuar rreth 22 takime dhe samite ministrore”, theksoi Edmond Ademi – kandidat për ambasador në Spanjë.

Ndryshe, nga MPJ për “Alsat” thonë se mbeten të paplotësuara pozitat e ambasadorëve në Paris, Varshavë, Londër, Bukuresht, Budapest, Sarajevë, Berlin, Pekin, Brasilia, Beograd, Kajro, Tel Aviv, ndërsa nga nesër zyrtarisht nuk do të kemi ambasador në Kiev, Ukrainë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat