Vdekja e 6 vjeçares në Manastir, inspektorati nuk konstaton gabim mjekësor

Maqedonia

Vdekja e 6 vjeçares në Manastir, inspektorati nuk konstaton gabim mjekësor

Më: 25 mars 2023 Në ora: 17:14
Foto ilustrim

Ministria e Shëndetësisë ka formuar komision të ri të ekspertëve për mbikëqyrje profesionale të rastit të gjashtëvjeçares Jana Hristova, menjëherë pasi Inspektorati Shëndetësor dhe Sanitar ka njoftuar se gjatë inspektimit të jashtëzakonshëm në spitalin e Manastirit nuk janë konstatuar mangësi në mjekimin dhe trajtimin e vogëlushes e cila ndërroi jetë të mërkurën.

“Pas mbikëqyrjes profesionale të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar nuk janë konstatuar mospërputhje në korrniza të kompetencave të Inspektoratit. Ditën e njejtë, me kërkesë të ministrit është formuar komision i ekspertëve, për mbikëqyrje profesionale për këtë rast. Poashtu duhet të priten rezultatet e obduksionit”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme inspektuese, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe deklaratat e punonjësve shëndetësorë, Inspektorati shtetëror shëndetësor dhe sanitar mbrëmë njoftoi se nuk ka hasur mangësi në trajtim. Gjashtëvjeçarjes Jana, pas pranimit në spital më 22 mars në orën 10, ku mjeku kujdestar ka konstatuar diagnozën dehidrim, i janë marrë mostrat e gjakut dhe urinës për analiza dhe më pas i është dhënë infusion me 250 mililitra glukozë 5 për qind, 250 mililitra tretësirë klorur natriumi 0,9, si dhe ampula Bedoxin.

“Pas përfundimit të infuzionit, gjendja është përkeqësuar. Ka ardhur deri te paraqitja e rraskapitjes, zbehjes, takikardisë dhe përgjumjes. Mjekja që ka kryer fillimisht kontroll ka kërkuar ndihmë nga pediatri i dytë prezent. Fëmija është transferuar nga spitali ditor në dhomën për kujdes gjysëm intensiv në repart dhe është vendosur në monitor dhe mbështetje të oksigjenit. Janë bërë dy inçizime EKG në orën 12:34 dhe 12:42 dhe është kërkuar ekzaminin nga anesteziologu i institutit. Në ndërkohë, zemra e fëmijës është ndalur, pas çka është bërë reanimim”, thonë nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar.

Mjekët janë konsultuar edhe me kolegët specialistë nga Klinika për Sëmundje të Fëmijëve në Shkup që vajza të transferohet atje, por gjendja e vajzës është përkeqësuar edhe më tej.

“Për shkak të përkeqësimit të mëtejmë të gjendjes, në orën 14 fëmija është transferuar në shërbimin për mjekim intensiv, ku është bërë reanimin kardio pulmonal dhe është dhënë terapi, por pa sukses. Në orën 15:20 është konstatuar vdekja nga ana e anestezioogut”, theksojnë nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar.

Prindërit e fëmijës dyshojnë për gabim të mjekëve, pasi niveli I sheqerit të fëmijës në gjak është rritur në mënyrë drastike pas pranimit të infuzionit, por për shkakun e vërtetë të vdekjes duhet të tregojë saktë raporti i obduksionit. Prokuroria e Manastirit ka dhënë urdhëra dhe udhëzime për kryerjen e të gjitha analizave për vërtetimin e shkaqeve të vdekjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat