Specialistë nga Klinika Zhan Mitrev do të kryejnë ekzaminime kardiologjike falas për pensionistët nga mbarë Maqedonia

Maqedonia

Specialistë nga Klinika Zhan Mitrev do të kryejnë ekzaminime kardiologjike falas për pensionistët nga mbarë Maqedonia

Më: 8 prill 2023 Në ora: 18:10
Foto nga takimi

Ekipi i mjekëve specialistë nga Klinika Zhan Mitrev me “Karvanin e shëndetit” do të kryejë falas ekzaminime specialistike, kardiake dhe internistike për pensionistët nga i gjithë vendi. Realizimi i ekzaminimeve falas është pjesë e Memorandumit për bashkëpunim të nënshkruar ndërmjet Spitalit klinik Zhan Mitrev dhe Unionit të shoqatave të pensionistëve të Maqedonisë, i cili është nënshkruar sot me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit.

Qëllimi i “Karvanit të shëndetit” dhe ekzaminimeve falas është rritja e mundësive dhe aksesit për ekzaminime specialistike për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të marrin një mendim nga mjeku për gjendjen e tyre shëndetësore. Me këtë karvan, Klinika Zhan Mitrev rrit kujdesin shëndetësor për qytetarët, veçanërisht për kategoritë kritike dhe ata të cilët nuk kanë aspak mundësi për tu konsultuar me mjekun. Me anë të këtyre akzaminimeve do të ofrohet këshillimi dhe edukimi për diagnostikimin korrekt dhe në kohë të sëmundjeve të mundshme, në drejtim të parandalimit të sëmundjeve të zemrës.

Programi dhe mënyra e realizimit të Karvanit të shëndetit është bërë në bashkëpunim me përfaqësuesit e Sindikatës, të cilët ishin të pranishëm në nënshkrimin e memorandumit, të përbërë nga: znj. Stanka Trajkova Kryetare e Sindikatës së Pensionistëve, Primarius Dr. Stojançe Stefanovski kryetar i Komisionit për shëndetësi dhe politikë sociale të sindikatës, znj. Menka Temelkovska – sekretare e bordit ekzekutiv të Shoqatës së pensionistëve të Maqedonisë dhe z. Vasil Paçemski, redaktor i gazetës Pensioner Plus.

Në emër të klinikës u mirëpritën nga Dr. Emil Stoitsovski, anesteziolog, Dr. Elena Ambarkova Vilarova, drejtore e mjekësisë dhe Dr. Zhan Mitrev.

Ekzaminimet do të përfshijnë anamnezën e pacientit, EKG, ekzaminimin kardiovaskular me ultratinguj dhe kontrollin e terapisë. “Karvani i shëndetit” do të zhvillohet gjatë muajve maj dhe qershor dhe do të vizitojë ato vende dhe qytete ku aksesi për ekzaminimin specialistik është i pamundur.

Me këtë aktivitet, Klinika Zhan Mitrev do të rrisë ndërgjegjësimin e publikut në drejtim të kujdesit për shëndetin kardiovaskular dhe parandalimin në kohë të sëmundjeve të zemrës tek grupet e veçanta të synuara, si dhe do të rrisë mundësinë për identifikimin dhe zvogëlimin në kohë të numrit të personave të sëmurë.

Gjithashtu, me qëndrim të përgjegjshëm shoqëror ndaj qytetarëve të Maqedonisë dhe të drejtën e tyre për qasje në ekzaminime të rregullta specialistike, Klinika Zhan Mitrev e zhvillon karvanin nën moton “Shëndet për të gjithë” që është fokusi vjetor i OBSH-së për të shënuar Ditën Botërore të Shëndetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat