Senatori amerikan Chris Murphy në Shkup, nxit ndryshimet kushtetuese

Maqedonia

Senatori amerikan Chris Murphy në Shkup, nxit ndryshimet kushtetuese

Më: 26 maj 2023 Në ora: 16:58
Senatori amerikan Chris Murhpy në vizitë Shkup

Senatori amerikan Chris Murhpy ishte për vizitë Shkup, ku dërgoi një mesazh të qartë se Maqedonia e Veriut duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese që të mbetet në rrugën e integrimit evropian. Ai tërhoqi vërejtjen se nëse vendi vendos ndryshe, që t’i shmanget rrugës së integrimit, atëherë do të ishte shqetësuese dhe do të kishte ndikime të padëshiruara.

Maqedonia e Veriut duhet t’i realizojë ndryshimet kushtetuese deri në muajin tetor për të futur pakicën bullgare, një kusht ky nga Bashkimi Evropian për vazhdimin e bisedimeve me vendin ballkanik.

Senatori amerikan Chris Murhpy ishte në Shkup në një kohë kur po shtohen përplasjet midis qeverisë dhe opozitës maqedonase lidhur me ndryshimet kushtetuese, një kusht ky për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Ky është takimi i dytë brenda më pak se tre javëve i senatorit me Kryeministrin Dimitar Kovaçevski, i cili në fillim të muajit ishte për vizitë në Uashington. Autoritetet në Shkup e shikojnë si përkushtim të fortë të senatorit amerikan qëndrimin e tij ndaj rajonit si dhe ndaj qëndrueshmërisë, zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së Maqedonisë së Veriut.

Zoti Murhpy, anëtar i Komisionit për Çështje të Jashtme të Senatit ka biseduar me autoritetet maqedonase për reformat në fushën e sundimit të ligjit, për luftën kundër korrupsionit dhe padyshim lidhur me nevojën e shpejtë të ndryshimeve të kushtetutës për inregrimin në të të pakicës bullgare, që paraqet kushtin kryesor për vazhdimin e bisedimeve të këtij vendi ballkanik me Bashkimin Evropian.

“Dua të jem i qartë lidhur me ndikimin në marrëdhëniet me SHBA nëse Maqedonia e Veriut merr një rrugë ndryshe; të vendosë kundër ndryshimeve kushtetuese dhe të dalë nga rruga drejt Bashkimit Evropian. Do të jetë shqetësuese për një vend anëtar të NATO-s, për të cilin ne jemi zotuar ta mbrojmë mbi baza të vlerave të përbashkëeta, ndërsa ai mund t’ia kthejë shpinën BE-së”, u shpreh Senatori amerikan.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se ekziston një rrugë e vështirë ku duhet të merren vendime të guximshme, “por përgjatë kësaj rruge, shtoi ai, kemi mbështetje të fuqishme nga SHBA-të dhe nga përfaqësuesit e tyre të lartë”.

“Vendimi të cilin duhet ta marrim nuk i takon vetëm një njeriu, një qeverie apo vetëm një partie politike, por është një vendim i të gjithë aktorëve politikë brenda shtetit. Ne duhet patjetër t’ua sigurojmë qytetarëve tanë jetesën brenda një shteti anëtar të Bashkimit Evropian”, tha kryeministri maqedonas, i cili theksoi nevojën e rritjes së standardit të jetesës së qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në nivelin kur vendi ishte pjesë e Federatës Jugosllave, kur ishte, siç tha mbi standardin e një pjese të shteteve të Evropës lindore si: Çekia, Sllovakia, Polonia, Rumania dhe Bullgaria, vende që u bënë anëtare të Bllokut.

Ndërkohë, Sentaroti Murphy tha se me përparimin drejt integrimit evropian, krahas shtimit të sigurisë do të ketë dhe mirëqenie ekonomike; më tepër kompani amerikane do të vijnë për të investuar këtu, tha ai.

Ai po ashtu foli për një aleancë të fortë të SHBA-ve dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa theksoi rolin e kësaj të fundit kundrejt politikave ndaj Federatës Ruse pas agresionit brutal ndaj Ukrainës.

Shkupi ishte ndalesa e fundit e Senatorit Murphy, i cili së bashku me senatorin Gary Peters qëndruan në disa shtete të Ballkanit Perëndimor./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat