Draft-ndryshimet presin miratimin e Qeverisë së RMV-së

Maqedonia

Draft-ndryshimet presin miratimin e Qeverisë së RMV-së

Më: 6 qershor 2023 Në ora: 20:26
Qeveria e Maqedonisë

Propozim-nisma për ndryshimet kushtetuese, përgatitur nga grupi i ekspertëve i Ministrisë së Drejtësisë, ndodhet në Qeveri, e cila duhet të japë dritën e gjelbër dhe ta dërgojë për miratim në Kuvend.

Nga Qeveria thonë se vendimi do të merret më së voni deri të premten. Më pas nis procedura parlamentare mbi nevojën e ndryshimit të Kushtetutës.

Ndryshimet kanë të bëjnë me preambulën, përkatësisht përfshirjen e pakicës bullgare në të, si popull shtetformues që është kusht për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut, bazuar në marrëveshjen me Sofjen për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe dallimet historike.
Por, përveç bullgarëve, në preambulë do të përfshihen edhe hebrenjtë, sllovenët, kroatët dhe egjiptasit.

Ndryshimi i Kushtetutës po përcillet me përçarje të mëdha mes dy blloqeve politike maqedonase, Lidhjes Social Demokrate (LSDM) të kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe OBRM-PDUKM-së, opozitare që drejtohet nga Hristijan Mickoski.

Dy liderët do të takohen të mërkurën në përpjekje për të kapërcyer dallimet, por bazuar në deklaratën e kreut të opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, marrëveshje nuk do të ketë dhe OBRM-PDUKM do të mbetet në qëndrimin për të mos mbështetur ndryshimin e Kushtetutës.

“Unë do të marr pjesë në takimin e liderëve dhe në emër të pjesës dërrmuese të popullatës që kërkon mbrojtjen e identitetit tonë, do të them se nuk do t’i pranojmë ndryshimet kushtetuese apo diktatet nga pala bullgare. Nuk do të lejojmë që vullneti i popullit të shndërrohet në leckë, ashtu siç këtë e bën pushteti. Nuk do të lejoj që të shkelet identiteti ynë. Maqedonia [e Veriut] nuk është në shitje”, ka deklaruar Mickoski.

Mirëpo, kreu i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se ndryshimet janë detyrim nga marrëveshja me Bullgarinë dhe vendimtare për integrimin e vendit në BE.

“Tani është momenti kur Maqedonia e Veriut duhet të miratojë vendimet e rëndësishme dhe të vazhdojë procesin e integrimit evropian. Këtë mesazh e dëgjojmë çdo ditë nga miqtë tanë evropianë dhe amerikanë. Mesazhe më të qarta se këto nuk besoj se do të ketë. Partitë politike dhe deputetët në Kuvend e kanë për obligim që të punojnë për realizimin e këtij synimi të qytetarëve, integrimin në BE”, ka thënë Kovaçevski.

Ai dhe kreu i opozitës kanë shkëmbyer akuza edhe për atë se cilat mund të jenë pasojat nëse dështon nisma për ndryshimet kushtetuese.

Kryeministri Kovaçevski ka thënë se me këtë “Maqedonia e Veriut do të humbë shansin e fundit në procesin e integrimit evropian të vendit, pas çka ai do të rikthehet në izolim dhe në vend pa perspektivë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat