BDI dhe PDSH dënojnë largimin e lapidarit

Maqedonia

BDI dhe PDSH dënojnë largimin e lapidarit

Më: 20 janar 2013 Në ora: 18:01

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka shprehur indinjatën e thellë dhe dënon aktin qyqar të Qeverisë së Serbisë për të suspenduar vullnetin e autoriteteve legjitime në Preshevë dhe të qytetarëve shqiptar atje duke shkelur mbi te drejtat themelore të njeriut.

“Ky akt Millosheviqian që nuk njeh dialogun si vlerë evropiane vetëm dëshmon se Serbia nuk e kupton apo nuk donë ta kupton realitetin e ri në rajon dhe po bëhet pengesa kryesore e evropianizimit të rajonit.

Ftojmë qytetarët shqiptar në Luginë, që të ruajnë gjakftohtësinë dhe mos të bien pre e provokimeve qëllimkëqija.

Vlerat e dëshmorëve të kombit janë të përjetshme dhe çdo herë që dikush tenton të shkel mbi to, ato bëhen edhe më të mëdha dhe më të rëndësishme” thuhet në reagimin me shkrim të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Lidhur me zhvillimet e sotme në Preshevë, ka reaguar edhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka dënuar veprimin e autoriteteve serbe për heqjen e lapidarit, ndërsa ka kritikuar gjithashtu edhe sjelljen e lidershipit shqiptar.

“Që Qeveria serbe vazhdon me politikat e vjetra kjo nuk është lajm, lajm do të ishte sikur pjesa dërmuese e lidershipit politik shqiptarë të ishte i vetëdijshëm për këtë fakt dhe konform këtij realiteti të sillet politikisht. Është e parëndësishme që tani të flitet për fitues apo humbës pasi që kjo qasje edhe më shumë do të na zhyt në patriotizmin romantik, të dëgjuar me shumicë ditëve të fundit lidhur me këtë rast, dhe aq të dëshiruar nga pjesa dërrmuese e lidershipit shqiptar”, ka reaguar me shkrim partia e Menduh Thaçit , duke shquar se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit kanë më shumë se kurrë nevojë për përkrahje nga të gjithë shqiptarët e në veçanti nga ana e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat