Ulen eksportet në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

Ulen eksportet në Maqedoninë e Veriut

Më: 14 tetor 2024 Në ora: 22:55
Foto ilustrim

Problemet ekonomike në Gjermani kanë shkaktuar edhe uljen e këmbimit tregtar me Maqedoninë e Veriut. Gjermania është partneri kryesor tregtar i Maqedonisë dhe kompanitë e huaja që i shërbejnë sektorit të automobilave janë eksportuesit tanë më të mëdhenj. Në tetë muajt e parë të këtij viti, eksportet drejt Gjermanisë u ulën në 2 miliardë e 157 milionë euro nga 2 miliardë e 455 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjithashtu situata e keqe ekonomike në Gjermani ka prekur edhe kompanitë e huaja në Maqedoni që eksportojnë pjesë për industrinë e automobilave. Vëllimi i punës për disa nga investitorët është ulur pjesërisht ndërsa janë vonuar edhe porositë Pritet edhe ngecje punësimi në disa nga kompanitë e huaja. Vështirësitë ekonomike të Gjermanisë nga viti i ri po vazhdojnë, ku vendin tani po përballet me spektrin e mbylljes së vitit 2024 në recesion.

Të mërkurën, ministri gjerman i ekonomisë Robert Habeck njoftoi se ekonomia pritet të tkurret me 0.2% këtë vit, nga parashikimet e mëparshme për një rritje prej 0.3% dhe duke shënuar vitin e dytë radhazi të tkurrjes. Kjo perspektivë e zymtë e bën Gjermaninë ekonominë e vetme të G7-ës që parashikohet të tkurret në vitin 2024, një vazhdim i rënies së saj prej 0.3% në 2023.

Rënia reflekton sfidat e zgjatura strukturore të vendit, duke përfshirë mbështetjen në sektorin e tij të prodhimit dhe efektet negative të konkurrencës globale, veçanërisht nga Kina.Pavarësisht perspektivës së zymtë afatshkurtër, qeveria gjermane parashikon që ekonomia do të kthehet në rritje në vitin 2025, me produktin e brendshëm bruto që pritet të rritet me 1.1%, pak më shumë nga parashikimi i mëparshëm prej 1.0%. Deri në vitin 2026, rritja mund të arrijë në 1.6%, e nxitur kryesisht nga një rritje e konsumit privat dhe stabilizimi i inflacionit. Megjithatë, këto parashikime janë të kushtëzuara nga zbatimi i suksesshëm i reformave strukturore dhe stabilizimi i kushteve ekonomike globale. Sipas Habeck, zbatimi i një pakete gjithëpërfshirëse të rritjes prej 49 masash është thelbësore. Këto masa synojnë të rigjallërojnë ekonominë duke nxitur investimet, duke rritur produktivitetin dhe duke adresuar çështjet strukturore të vjetra.

Investitorët gjermanë në Maqedoni eksportojnë kryesisht komponentë shumë të sofistikuar të destinuar për industrinë e automobilave, ulëse për autobusë, trena dhe makina, pajisje të ndryshme mjekësore. Kabllo speciale bakri të përdorura në prodhimin industrial eksportohen gjithashtu në Gjermani. Këtu prodhohen edhe aparate kafeje dhe tharëse flokësh të sofistikuara për tregun gjerman.

Njëherësh industria e automobilave, e cila është shtytëse e ekonomisë së tyre, ka një ulje drastike të numrit të automjeteve që regjistrohen, veçanërisht në muajt gusht dhe shtator, thotë Viktor Mizo, president i Këshilli i Investimeve të Huaja.Situata mund të përkeqësohet më tej nga vendimi i Komisionit Evropian për të vendosur tarifa të larta ndaj prodhuesve kinezë të automjeteve. Gjermania e kundërshton këtë vendim, por jo edhe vendet e tjera evropiane, ndaj dhe Kina u kundërpërgjigj me kundërmasa. Sipas Mizos, jemi shumë larg asaj nëse situata në Gjermani mund të çojë në një krizë të re ekonomike, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm. “Ndikim në këtë situatë do të kenë edhe ngjarjet në botë si situata në Ukrainë, momenti pas zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, konfliktinë Lindjen e Mesme”, shton ai. Përskaj Luftës në Ukrainë, edhe problemet e tjera si numri i madh i refugjatëve që gëzojnë mbrojtje sociale në Gjermani, rritja e çmimit të gazit, burokracia e madhe, rritja e shpenzimeve për industrinë ushtarake dhe zhvillime të tjera kanë ndikim shumë negativ në ekonominë e Gjermanisë shpjegon Angel Dimitrov, kryetar i Kuvendit të Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë.

Siç thotë ai, Maqedonia është shumë e varur nga zhvillimet në ekonominë gjermane, sepse Gjermania është partneri ynë më i madh tregtar. Dimitrov shton se veçanërisht “vuan” prodhimi i mallrave të konsumit, i cili kufizohet nga kërkesa e reduktuar për këtë lloj mallrash në Gjermani. “Sigurisht, përveç tyre, problem lind edhe me prodhuesit e lëndëve të para dhe lëndëve ndihmëse që eksportojnë në industrinë përpunuese gjerman”, thekson Dimitrov.

Nga ana tjetër, e përditshmja “Süddeutsche Zeitung”, shkruan se telashet vijnë nga rritja e çmimeve të energjisë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, një ngadalësim industrial dhe një rënie në eksporte. Gjermania gjithashtu përballet me sfida strukturore, si rritja e konkurrencës nga Kina, mungesa e punëtorëve të kualifikuar dhe një tranzicion kompleks ekologjik.“Në vend që të fitojë vrull, ekonomia vazhdon të karakterizohet nga një ngurrim i përgjithshëm i konsumatorëve për të shpenzuar”, shkruan ”Süddeutsche Zeitung”, një nga gazetat e përditshme gjermane.Qeveria gjermane, megjithatë, është optimiste në perspektivën e saj për vitin 2025. Masat në shqyrtim përfshijnë uljen e taksave, uljen e përhershme të çmimeve të energjisë për industrinë, lehtësimin e burokracisë dhe stimujt për të mbajtur të moshuarit në tregun e punës dhe për të tërhequr punëtorë të huaj të kualifikuar.

Ndryshe, anketa e realizuar në mesin e investitorëve gjermanë dhe kompanive anëtare të Shoqatës ekonomike të Maqedonisë dhe Gjermanisë tregon se 37 për qind e tyre kanë deklaruar se synojnë t’i zvogëlojnë investimet aktuale të planifikuara, 33 për qind t’i lënë në të njëjtin nivel, ndërsa 30 për qind t’i rrisin investimet. Nëse këto të dhëna krahasohen me vitet e kaluara, mund të vërehet se ka një rënie të lehtë sa i përket investimeve. “Një nga faktorët vendimtar është mungesa në rritje e kuadrove profesionale. Rreth 70 për qind e kompanive gjermane në vend konsiderojnë se mungesa e kuadrit profesional është një nga rreziqet më të mëdha, ndërsa mungesa e kuadrit profesional reflekton në prodhimin aktual dhe në reduktimin e investimeve aktuale të planifikuara. Pesëdhjetë e shtatë për qind besojnë se edhe kostot e operacionit janë një nga faktorët e rrezikut dhe 47 për qind besojnë se situata ekonomiko-politike ndikon gjithashtu në të”, vlerësojnë nga Shoqata ekonomike gjermane.

Megjithatë, theksohet se Maqedonia e Veriut mbetet një vend tërheqës për investime për kompanitë gjermane, siç dëshmojnë të dhënat nga anketa se 69 për qind e kompanive kanë deklaruar se do të investojnë sërish në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat