“Nëse mendojnë se do të luajnë në kartën etnike dhe politike që mbrëmë u përpoqën përmes konferencave të mesnatës. Të gjithë nga shtëpitë do t’i tërheqim për veshi”, deklaroi kryeminsitri Hristijan Mickoski.
Kjo është vetëm një pjesë e deklaratës së kryeministrit që e bëri të reagojë ish-nënkryetaren e Lëvizjes Besa, Besa Kadriu, e cila në Facebook shkroi se Mickoski në vend që të adresojë përgjegjësinë e qeverisë aktuale për dështimet institucionale dhe lëshimin e licencave në mënyrë të papërgjegjshme, ai vazhdon të zhvendosë fokusin te e kaluara.
“Gjuha publike e përdorur nga kryeministri është në nivel të ulët, me një ton të qartë nacionalist në sfond. Kjo qasje jo vetëm që nuk sjell zgjidhje, por thellon përçarjet dhe largon institucionet nga funksioni i tyre real. Ajo që është vërejtur që në fillim të kësaj qeverisjeje është një prerje e qartë e qasjes në institucionet kyçe për shqiptarët”, ka shkruar Besa Kadriu.
Kur Kadriu i shkroi këto, emri dhe fotografia e saj ende qëndronin në ueb-faqen e Lëvizjes Besa si nënkryetare e partisë. (skronshot web 1 dhe web 2) Po pasi mediat iu referuan asaj si nënkryetare, Lëvizja Besa e fshiu nga faqja e uebit dhe doli me komunikatë ku sqaroi se “Besa Kadriu nuk është nënkryetare e partisë dhe në shkrimet e saj të fundit, nuk i shfaq qëndrimet partiake, por qëndrimet e saja personale”.
“Znj. Kadriu ka dhënë dorëheqje nga të gjitha organet e partisë së Lëvizjes BESA në seancën e mbajtur të Kuvendit Qendror të partisë më datë 01.06.2024. Ndryshe, Lëvizja BESA mbështet fuqishëm çdo përpjekje të organeve të shtetit, për të zbardhur çdo detaj lidhur me ngjarjen tragjike në Koçan dhe në veçanti inkurajon organet e Drejtësisë që të jenë sa më efikas në punën e tyre”, thonë nga Lëvizja Besa.
E pyetur rreth kësaj, Kadriu tha se është tërhequr nga Lëvizja Besa që kur janë zhvilluar bisedimet për qeverinë e re, bisedime dhe vendime që sipas saj janë bërë sjellë jashtë strukturave partiake. Sa i përket qëndrimit të saj ndaj Mickoskit, Besa Kadriu, përsëriti se Mickoski duhet fillimisht të marrë përgjegjësi, pastaj të kërkohet përgjegjësi edhe nga ish pushteti ekzekutiv.
““Unë kam reaguar edhe atëherë dhe reagoj edhe sot, dhe do të vazhdojë të reagojë në çdo moment kur gishti do të drejtohet vetëm nga shqiptarët. Jo, Mickoski është kryeministër dhe në qoftë se ai e ka pasur shumicën dhe krekoset me atë shumicë dhe ka luajtur me kartën e nacionalizmit, nuk duhet ta drejtojë gishtin nga shqiptarët, se nuk janë vetëm shqiptarët ato që “digjen institucione” dhe nuk mbart askush përgjegjësi. Është një vit ai që ka pozitë, është një vit kryeministër i këtij vendi”, u shpreh Besa Kadriu – ish-nënkryetare e Lëvizjes Besa.
Përndryshe Besa Kadriu vazhdon të jetë Këshilltare në Komunën e Tetovës nga radhët e Lëvizjes Besa, post nga i cili nuk ka dhënë dorëheqje, pasi siç thotë, është besim që e ka marrë nga qytetarët.