Prokuroria Publike ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrave të Ekonomisë dhe për këtë kanë reaguar nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Nga BDI thonë se këto veprime janë drejtësi selektive dhe se prokuroria e ka humbur pavarësinë e saj.
BDI tha se prokuroria është e kapur dhe po shënjestrohen personalitete të zëshëm nga komuniteti shqiptar ndërkohë që bëri thirrje për reagim nga bashkësia ndërkombëtare.
“Bashkimi Demokratik për Integrim me shqetësim të madh ndjek vendimin e Prokurorisë Publike për të ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrave të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Valon Saraçini, në lidhje me rastin “Koçani”. Kjo drejtësi selektive dhe veprim i qartë me motive politike përfaqëson edhe një dëshmi tjetër se prokuroria jo vetëm që e ka humbur pavarësinë e saj, por është shndërruar në një instrument për përndjekje politike dhe inxhiniering zgjedhor. Qëllimi është i qartë: ndikim i drejtpërdrejtë mbi zgjedhjet lokale dhe heshtja e mediave kritike përmes shënjestrimit të personaliteteve të dalluara dhe zëshme nga komuniteti shqiptar. Prokuroria e ka humbur plotësisht besueshmërinë e saj duke mbrojtur funksionarët e qeverisë, ndërkohë që bashkëpunon me qendra joformale të pushtetit për të montuar raste kundër ish-ministrave dhe kundërshtarëve politikë. Prokuroria Publike, me këtë vendim, zyrtarisht është deklaruar e kapur. BDI do të ndërmarrë të gjitha hapat demokratikë dhe politikë për të mbrojtur zërin e shqiptarëve, integritetin e procesit zgjedhor dhe parimet e drejtësisë dhe shtetit ligjor. Ne bëjmë thirrje për një reagim të menjëhershëm nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga institucionet që ndjekin reformën e sistemit të drejtësisë, që të mos heshtin përballë abuzimit të dukshëm të institucioneve për qëllime politike”, tha BDI.