A është BDI e unifikuar për “Safe City-in”?! Ajdari “po në parim”, Duraku “jo pa ndryshime”

Maqedonia

A është BDI e unifikuar për “Safe City-in”?! Ajdari “po në parim”, Duraku “jo pa ndryshime”

Më: 20 janar 2026 Në ora: 21:32
Deputeti Sadulla Duraku

Koordinatorja e grupit parlamentar të Frontit Europian, Rina Ajdari, tha se kanë vërejtje për Ligjin për kundërvajtje, i cili lidhet me zbatimin e projektit të quajtur “Safe City”?! Ajdari thotë se kanë kërkuar zbatim të gjuhës shqipe, aplikimin e sistemit edhe në qytete të tjera dhe për mënyrën e dënimeve, që sipas saj duhet të jenë paralajmëruese dhe jo vetëm ndëshkuese.

E pyetur nëse do ta votojnë ligjin pa u përmbushur këto kërkesa Ajdari tha “në parim po”. 

“Ne kemi pasur bisedime me eskpertë edhe nga MPB-ja, edhe individë të cilët e kanë përpiluar ligjin dhe të gjitha këto na janë kristlizuar në këtë mënyrë që ndryshimet, të gjitha këto kërkesa, vërejtje të cilat i kemi ne, do të realizohen ose të paktën janë duke u marrë me këto çështje për t’u rregulluar.

-Kjo ishte e qartë në rregull, por edhe pa u kryer procedurat dhe të gjitha rregullat ju do e votoni ligjin?

Në parim po, por deri të premten ka kohë.-Besoni që do të bëhen?

Do të bëhen!”, tha Rina Ajdari, kooridnatore e grupit parlamentar, Fronti Europian.

Por në një moment gjatë konferencës u krijua konfuzitet, pasi ndërhyri deputeti Sadulla Duraku, i cili u shpreh kategorikisht se pa u bërë këto përmirësime nuk e votojnë ligjin.

“Jo, mos t’i ngatërrojmë ne punët këtu. Në qoftë se përmirësimet nuk bëhen në ligj, bisedimet janë që përmirësimet të bëhen në ligj, në qoftë se përmirësimet nuk bëhen në ligj, në parim ne e votojmë ligjin por në qoftë se nuk bëhen përmirësimet nuk votohet ky ligj”, theksoi Sadulla Duraku, deputet i BDI-së.

Nga ana tjetër Astrit Iseni, zëvendësministër i brendshëm nga VLEN, theksi se ky ligj është përkrahur nga të gjithë liderët e partive dhe se edhe pa votat e BDI-së numrat do të jenë.

“Jo, nuk ka pasur kushtëzime. Besoj se është arritur një ujdi dhe ligji i kundërvajtjes pritet që brenda kësaj jave të kalojë në seancën e parë. Kur do të jetë seanca, ashtu siç jemi dakorduar edhe me koordinatorin e grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qokun, kjo do të kalojë ditën e premte. Unë mendoj se ditën e premte ligji për kundërvajtje do të ketë votat pa konsensus, dhe atë që e keni si informacion, unë besoj se pa BDI numrat do të jenë. Është mirë që kjo është përkrahur nga gjithë liderët dhe duhet të përkrahet edhe nga qytetarët”, tha Astrit Iseni – Zv.Ministër i Punëve të Brendshme.

Nga LSDM-së thonë se ligji do ta ketë mbështetjen e tyre, mirëpo do ta parashtrojnë si çështje në Kuvend çfarë do të ndodhë me sasinë e madhe të të dhënave që gjeneron ky sistem, dhe për shumën e gjobave. Përndryshe të premten pritet të votohet ky ligj në Kuvend.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat